7 nga 12 drejtuesit aktualë të Policisë së Shtetit kanë aplikuar për të mbajtur një post drejtues në garën për zgjedhjen e drejtorëve të rinj të Policisë. Dje skadoi edhe afati i caktuar për aplikimet dhe tashmë pritet që me firmën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të bëhet edhe përzgjedhja për emrat e rinj.
Deri më tani, ZËRI ka mësuar se janë 43 aplikime në total, dhe me verifikimin e kushteve do të jetë Drejtoria e Përgjithshme që do të bëjë edhe përzgjedhjen e kandidatëve që renditen në 12-çen e parë dhe më pas do të bëhet emërimi i secilit sipas qarqeve. Drejtuesit e Shkodrës dhe Beratit nuk kanë aplikuar në garë.
Emrat e drejtorëve aktualë që kanë garuar janë:
Ardian Çipa, aktualisht drejtues i policisë së Gjirokastrës.
Alfred Elezaj, aktualisht drejtues i policisë së Lezhës.
Tonin Vocaj, aktualisht drejtues i policisë Tiranë.
Gjovalin Loka, aktualisht drejtues i Policisë Korçë.
Skënder Hitaj, aktualisht drejtues i policisë Durrës.
Ermal Muça, aktualisht drejtues i Policisë Vlorë
Lorenc Panganika, aktualisht drejtues i Policisë së Fierit.
Çfarë përcakton rregullorja e re e Policisë?
Pas përfundimit të afatit 7 ditor, Policia e Shtetit duhet të publikojë në faqen zyrtare emrat e kandidatëve. Komisioni për vlerësimin e aplikimeve për të emëruar nr.2 të policisë së shtetit dhe drejtorët e departamenteve, përbëhet nga një përfaqësues i ministrisë së brendshme, një tjetër nga policia e shtetit dhe një nga Akademia e Sigurisë. Ndërsa komisioni për të caktuar drejtorët e departamenteve dhe shefat e komisariateve përbëhet nga 3 përfaqësues të policisë së shtetit.
Vlerësimi i kandidatëve do të marrë 10 ditë kohë, me qëllim verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore, ndërsa komisioni më pas do listojë kandidatët që plotësojnë kriteret dhe ata që s’kualifikohen.
Kandidatët do të pyeten për aftësitë profesionale, integritetin moral, aftësitë organizative dhe drejtuese. Për funksionet zëvendës drejtor i përgjithshëm dhe drejtor departamenti, Ilir Proda do i propozojë ministrit 3 kandidatët me pikët më të larta. Ndërsa funksionet e drejtorit të drejtorisë vendore dhe shefit të komisariatit janë kompetencë e Prodës, i cili do të zgjedhë mes 3 emrave për secilin dikaster.