Shqipëria është lider në rajon në fushën e Prokurimeve Publike. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në podcastin ‘Flasim’ gjatë bashkëbisedimit me ministren e shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Piredeni.
Teksa po komentonte çeljen e negociatave për grupkapitullin e parë, kryeministri Rama u ndal veçanërisht tek Prokurimet Publike. Kryeministri Rama solli në vëmendje raportin e SIGMA-s, duke thënë se vlerëson se Shqipëria ka performancën më të lartë në rajon në prokurimet publike.
“Tek themeloret kemi gjyqësori dhe të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë, sigurinë, statistikat kontrolli financiar dhe prokurimet publike. Unë e kam vërë një paraqitje më parë, por do të lë të flasësh, por këtu kam vetë një vlerësim të SIGMA e cila, vlerëson se Shqipëria ka sot performancën më të lartë në rajon në prokurimet publike”, tha Rama.
“Mënyra si vlerësohet Shqipëria është e qartë se bëhet përmes një lentie objektive, që ne s’kemi si ta ndikojmë përveçse duke paraqitur shifrat tona të cilat i nënshtrohen kontrollit nga KE, kanë sistem rigoroz për mënyrën se si verifikojnë të dhënat”, u shpreh Pirdeni.
Kryeministri theksoi se Shqipëria vlerësohet në këtë proces me 80 pikë, kundrejt 70.4 pikë Maqedonia e Veriut, 70 pikë Mali i Zi, 68 pikë Serbia, 56.5 pikë Kosova dhe 55 pikë Bosnjë- Hercegovina.
“Ka një sërë treguesish që flasin se çfarë transformimi është bërë në aspektin e hapjes së tregut, operatorëve etj. E them këtë sepse kjo nuk thuhet dhe këtu e gjithë vëmenndja përqendrohet te spektakli i gjysmë të vërtetave”, tha Rama.
Nga ana e saj, Pirdeni theksoi se realisht në fushën e prokurimeve Shqipëria është lider rajonal.
“Kjo edhe duke iu referuar dokumentit që Këshilli i BE-së publikoi jo më larg se 3 ditë më parë, ku në fushën e prokurimeve publike Shqipëria nuk ka piketa të ndërmjetme, pra nuk duhet të vërtetojë përgjatë procesit të negociatave që duhet të përmbushë detyrimet. Ka vetëm piketa mbyllëse për ta mbyllur këtë kapitull. Do të thotë që stadi i avancimit të Shqipërisë në këtë fushë është i konsiderueshëm”, tha Pirdeni.