Ilir Meta, 7 ditë pas arrestimit të tij, ka bërë një postim të gjatë në Facebook, ku shpjegon arsyet, sipas tij, pse u arrestua pikërisht tani.

Presidenti i Partisë së Lirisë ia hedh fajin Monika Kryemadhit, duke thënë se “kjo ka ardhur për shkak të garancive (të pavërteta) nga ish-bashkëshortja ime se çdo gjë ishte paguar, e deklaruar sipas ligjit”, duke iu referuar shpenzimeve shëndetësore jashtë shtetit.

“Më duhet të sqaroj se kjo ka ardhur për shkak të garancive (të pavërteta) nga ish-bashkëshortja ime se çdo gjë ishte paguar, e deklaruar sipas ligjit.

Pastaj çdo gjë tjetër ishte vetëm një makinacion për të më veshur mua përgjegjësi që nuk më takojnë pasi me procesin e deklarimit të pasurisë apo shpenzimeve shëndetësore dhe mjekësore merrej ish-gruaja ime në mirëbesim të plotë duke patur edhe avokatin dhe noteren për këto çështje, por edhe shumicën e pronave”, shkruan Meta.