Moti i kthjellët dhe vranësirat e lehta do të mbizotërojnë në pjesën më të madhe të territorit, ku më të dukshme kthjellimet do të jenë përgjatë vijës bregdetare ndërsa vranësirat më të theksuara paraqiten në zonat përgjatë shtrirjes lindore. Pjesa e dytë e ditës do të sjellë vranësira disi më të shpeshta në një pjesë të mirë të territorit, megjithatë mundësia për reshje është zero.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje të lehtë në mëngjes dhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 9°C vlera minimale deri në 28°C maksimalja në rang territori. Era do të fryjë mesatare deri e fortë përgjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 35 km/h nga drejtimi verior. Kjo do të bëjë që në brigjet detare të krijohet dallgëzim 1 – 2 ballë.
Kosova

Pjesa e parë e ditës në territorin e Kosovës do të jetë nën dominimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike, duke bërë që të ketë mbizotërim të motit të kthjellët ndërsa orët e pasdites do të sjellin kalime vranësirash të lehta, ku më të dukshme vranësirat do të paraqiten në zonat jugore dhe jugperëndimore, por nuk priten reshje. Temperaturat e ajrit do të pësojnë një rritje të lehtë në vlerat minimale dhe maksimale duke u luhatur nga 6°C vlera minimale deri në 23°C maksimalja në rang territori. Era do të fryjë mesatare por herë pas here e fortë me shpejtësi deri në 40 km/h nga drejtimi kryesisht Verior.

Maqedonia e Veriut

Gjatë ditës së martë, Republika e MV do të paraqitet nën ndikimin e motit të kthjellët në pjesën më të madhe të territorit. Kjo situatë meteorologjike do të vijojë deri vonë pasdite, ku priten kalime të vranësirave nëpër të gjithë MV, por më të theksuara në zonat përgjatë shtrirjes Lindore por mundësia për reshje është zero. Përsa i përket temperaturave të ajrit do të pësojnë një rritje të lehtë në vlerat minimale dhe maksimale duke luhatur vlerat ditore nga 6°C vlera minimale deri në 25°C maksimalja në rang territori. Ndërkohë era do të fryjë e fortë përgjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë maksimale deri në 38 km/h nga drejtimi verior.

Europa

Europa Jugore do të përfshihet nga masa ajrore të ngrohta nga Jugperëndimi i kontinentit duke sjellë mot të kthjellët dhe rritje të temperaturave të ajrit, ku më të theksuara kthjellimet do të jenë në gadishullin e Ballkanit si edhe gadishullin Iberik. Gjithashtu moti i qëndrueshëm do të dominojë në brigjet e Egjeut dhe brigjet e detit të zi ndërsa vendet nordike, ishujt britanikë dhe Europa lindore do të jenë nën ndikimin e rrebesheve të shiut dhe stuhive të erës. Po ashtu shira, stuhi të forta ere dhe mini-stuhi breshëri do të ketë pjesërisht në Europën qendrore.