9.7 milionë vizitorë të huaj në Shqipëri nga Janari deri në Shtator 2024. Kështu deklaroi këtë të Shtunë ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro teksa bëri bilancin e gjithë sezonit turistik veror këtë vit. Ministrja theksoi se vetëm në zonat e mbrojtura ka pasur 4.5 milionë vizitorë në 9 muaj.
“Vitin e kaluar në të njëjtën periudhë kemi pasur 8.3 milionë vizitorë.”
Një pikë e rëndësishme sipas saj është agroturizmi.
“Agroturizmi po çon turistë në ato fshatra ku siç thoshte populli, hante pula gurë. Sot, ashtu siç nuk na e kishte marrë mendja, kombinimi i produktit turistik lokal është një vlerë e shtuar dhe është një tjetër objektiv me të cilin duam të shkojmë në vitin 2030. Me zhvillimin e bujqësisë, blegtorë e fermerë vendas nxiten të investojnë e prodhojnë më tepër për të vlerësuar gjithnjë e më shumë produktin “Made in Albania”.
Më tej, Kumbaro u shpreh se gjatë verës janë shtuar masat për sigurinë e turistëve të huaj.
“Flasim edhe për një sezon të sigurt. 34 qendra shëndetësore verore u aktivizuan këtë vit si garanci për shëndetin e turistëve të huaj apo vizitorëve vendas. Mbi 160 operatorë turistikë detarë të certifikuar, mbi 600 udhërrëfyes të të gjitha kategorive të certifikuar nga Ministria e Turizmit. Kishim mbi 1800 vrojtues plazhi.”