Është bërë publike audioregjistrimi që familja e Aleks Nikës kishte mbajtur si provë prej vitesh e që tashmë ia dorëzoi SPAK. Bëhet fjalë për komunikimet përmes radiove të Gardës së Republikës nga godina e Kryeministrisë ditën e protestës dhe të vrasjeve të 4 qytetarëve me 21 janar 2011!
Nga dje prokuroria e Posacme ka në dorë audiopërgjimin me urdhërat nga lart për të qëlluar ndaj protestuesve të 21 janarit 2011, ku mbetën të vrarë 4 protestues, mes tyre dhe Aleks Nika.
Në audioregjistrim është komunikimi që pretendohet të jetë zëri i Ndrea Prendit, në atë kohë Komandant i Gardës së Republikës, me drejtuesit kryesorë të gardës, kryesisht të Batalionit Special të njësisë speciale. Regjistrimi fillon 12 minuta para vrasjeve dhe vazhdon 22 minuta pas vrasjeve.
Nga komunikimet rezulton se “Ndrea Prendi” u jep urdhër gardistëve të “hapin zjarr ushtarak sapo të kalohet gardhi” dmth të përdoren fishekë me plumba dhe jo më fishëkë manovra për të neutralizuar sulmuesit. Në komunikim Prendi sqaron se: “Ky është urdhëri”°.
Tani i takon SPAK-ut, pas verifikimit të vërtetësisë së audioregjistrimit, të marrë në pyetje Ndrea Prendin për të mësuar se kush ja ka dhenë atij këtë urdhër vrasës.
Pjesë nga regjistrimi:
Ndrea Prendi: Artan, dëgjon?
Artan Hoxha, zv/komandanti i Gardës: Dëgjoj, dëgjoj
Ndrea Prendi: Me të kaluar gardhi i telave do të hapet zjarr luftarak
Zv/komandanti: Kuptova, kuptova
Ndrea Prendi: Ky është urdhëri
Ndrea Prendi: Dashamir, dëgjuat?!
Dy efektivë të njësisë speciale: Alfred (Alfred Ahmetcenaj) ta, ta, ta gjakos.
Ndrea Prendi: Alfred?
Alfred Ahmetcenaj: Po dëgjoj
Ndrea Prendi: Kujdes municionin! Kujdes municionin!”
SPAK ka nisur hetimet për vrasjen e Aleks Nikës, si dhe plagosjen e shtetasve Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa në protestën e 21 Janarit të vitit 2011, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Pas urdhrit të Gjykatës së Lartë, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur zyrtarisht hetimet për 21 janarin. Ky hetim do të zbardhë rolin e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha. Sipas vendimit të arsyetuar, Gjykata e Lartë thotë se SPAK është i detyruar të zbardhë përgjegjësitë e Berishës, Bashës, Ndrea Prendit e të tjerëve për vrasjen e 4 personave të pafajshëm në bulevard, për të cilën nuk është verifikuar në asnjë rast roli i drejtuesve shtetërore.
Më korrik 2024, SPAK mori në pyetje dhe Ndrea Prendin për gati 3 orë. Dëshmi në SPAK dhanë dhe xhaxhai dhe e veja e Aleks Nikës të cilët prej 13 vitesh nuk reshtin së luftuari për të gjetur drejtësinë që do të thotë vënia para ligjit e zinxhirit komandues që dha urdhrin për të qëlluar mbi protestuesit.
Nëse nuk dënohet zinxhiri komandues nuk quhet dosja e zbardhur, përgjegjësia është tek komandanti i gardës tek kryeministri dhe ministri i brendshëm sepse po nuk dhanë urdhër ata nuk qëllohet. Të gjithë duhet të përgjigjen për vrasje në bashkëpunim.Këta ia thashë edhe SPAK-ut, ishin fjakët e xhaxhait të Aleksit, Mark Nika pasi dha dëshminë në SPAK në korrik të këtij viti.
Prokuroria e Posaçme po heton 21 janarin si vrasje shtetërore ndërsa akuzat regjistruara janë shumë të rënda: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim, “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës” kryer në bashkëpunim.
E familja e Aleks Nikës besons e SPAK do të vërë drejtësi.
“Kemi kallëzuar gjithë Zinxhirin që është nga Sali Berisha dhe deri të më i vogli. Besoj dhe dua ta besoj se SPAK është krijuar për të hetuar më të fuqishmit” pat deklaruar e veja e Aleks Nikës pasi Gjykata e Lartë në mars të këtij viti mori vendimin për të dërguar dosjen në SPAK.
Të shtënat pas urdhrit ‘Me të kaluar gardhi i telave do të hapet zjarr luftarak” vranë 4 qytetarë të pafajshëm. Aleks Nikën, Ziver Veizin, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedën.
Deri tani Drejtësia shqiptare ka dhënë vetëm 4 vite burg në total për 2 jetë të ndërprera, Faik Myrtajn dhe Ziver Veizin, në mes të bulevardit në demonstratën e 21 janarit, duke i konsideruar ato vrasje nga pakujdesia. Për Aleks Nikën ende nuk ka një fajtor që qëlloi mbi të, ndërsa pa autor është edhe vrasja e Hekuran Dedës.