Nga Mero Baze/
Deputetët e opozitës njoftuan se do të shkojnë në datën 23 tetor në Bruksel, në një protestë para Parlamentit Evropian për të protestuar për arrestimin e Sali Berishës. Nuk jam ende i qartë se cili është motivi i vërtetë i këtij udhëtimi në grup, pra nuk është e qartë nëse do shkojnë të protestojnë kundër Parlamentit Evropian, apo t’i ankohen Parlamentit Evropian. Normale, ashtu siç është situata ata duhet të shkojnë për të protestuar kundër Parlamentit Evropian dhe institucioneve të tjera të BE. Kjo është kauzë reale e PD. Përveçse tani është konturuar si një parti anti-perëndimore, arrestimi i Berishës dhe gjithë të tjerëve të arrestuar nga drejtësia e re, është përshëndetur nga Brukseli dhe është quajtur një nga sukseset kryesore të Shqipërisë ditën e hapjes së negociatave.
Po ashtu e gjithë retorika e derisotme e PD është që BE ka mbështetur qeverinë shqiptare, të cilën këta e quajnë regjim antidemokratik dhe është logjike të protestojnë kundër tyre. Kjo shkon dhe me qëndrimet që kanë mbajtur kundër diplomatëve perëndimorë që kanë dënuar protestat e tyre. Nëse shkojnë të ankohen duke e konsideruar Bashkimin Evropian një institucion të painformuar për Shqipërinë, rrezikojnë të bëhen dhe qesharakë, dhe të padobishëm për kauzën e tyre.
Rrezikojnë të bëhen qesharakë, pasi përpiqen të mbajnë gjallë fabulën e Berishës që Perëndimi është me të, por është i painformuar se çfarë po ndodh, dhe nga ana tjetër bëhen qesharakë pasi këtu shajnë nga nëna ambasadorët e BE dhe atje shkojnë të ankohen për çfarë ndodh në Shqipëri. Por me shumë gjasa, as vet deputetët nuk e kanë të qartë përse do shkojnë. Më shumë se sa t’i shikojë Parlamenti Evropian apo komisioni, që ata janë në Bruksel, ata po shkojnë t’i shikojë Berisha që po shkojnë të protestojnë për të dhe që janë gati të përballen dhe me Perëndimin derisa ai t’i vërë në listat e deputetëve.
E gjitha kjo bëhet për një njeri që sot është dorëzuar në Gjykatë, me një pretencë që minimumin merr 4 vjet dhe maskimum 12 vjet burg. E gjithë kjo, pa 21 Janarin dhe çështjet e tjera që mund t’i hapen. Tani të shkosh deri në Bruksel vetëm që ai të të shikojë se ti je gati të sakrifikosh për të dhe të identifikohesh me të, nuk tregon më kush është Sali Berisha, po tregon se çfarë produkti pret në politikë nga një plak i kriminalizuar, që para se të ikë në botën tjetër kërkon t’i shikojë të gjithë të bërë pis dhe të poshtëruar prej tij. Dhe ky është dëmi i fundit që ai po i bën PD, kurse deputetët janë duke i bërë nderin e fundit atij.
Në Bruksel nuk djegin dot as karrige, as zyra, as thyejnë dot xhama, e as hedhin dot molotov. Aty nuk shkohet për të djegur. Shkohet “për t’u djegur”.