Në episodin e radhës të Podcast-it “Flasim” kryeministri Edi Rama pati të ftuar Gentjan Shaqirin, pedagog në Universitetin e Tiranës.
Mirëpo në Podcastin “Flasim” Gentjan Shaqiri ka folur për një pasion dhe sport në të cilin është shpallur kampion në sistemin e FIA-s për të gjithë zonën e Europës Qendrore, bëhet fjalë për motorsportin.
I pyetur nga kryeministri Edi Rama nëse do ta bënte sërish të njëjtin rrugëtim nëse do ta kthente kohën pas, Gentjani është shprehur se: “Jam shumë i lumtur për këtë që kam arritur. Nuk kam asnjëlloj pendimi dhe dua që kjo të shërbejë edhe për të tjerët që edhe në motorsport ja dalim.
Është një rezultat i rëndësishëm sepse ne deri tani nuk kemi pasur në motorsport rezultat ndërkombëtar.”
Gjatë bashkëbisedimit me kryeministrin, kampioni Shaqiri ka sjellë një detaj interesant për garën e zhvilluar në 23 – 24 qershor të këtij viti teksa mori vendin e tretë duke lënë pas pilotin serb me një të mijtën e sekondit.
Shaqiri ka shpërndarë edhe një mesazh për qytetarët teksa është shprehur se: unë mendoj dhe jam i idesë që sporti duhet ti bashkojë njerëzit.
Gentjan Shaqiri ka bërë historinë duke u bërë piloti i parë shqiptar që fiton një kampionat të menaxhuar nga FIA siç është FIA CEZ (Zona Sportive e Evropës Qendrore)
Shaqiri e mbylli kampionatin në vend të parë me 97 pikë duke lënë mbrapa në vend të dytë Laszlo Szasz me 75 pikë që ishte shpallur kampion në këtë kategori në pesë sezonet e fundit.