Nga Aladin Stafa
Libri, sa i thjeshtë aq dhe i ndërlikuar, ngaherë duket se i ka qëndruar stoik kohës duke u shfletuar në shumë duar e lexuar nga shumë sy. Por duket se në dekadat e fundit ai është duke e humbur marrëdhënien e ngushtë me njeriun. Nëse teknologjia po ecën furishëm, libri nuk po e ndjek dot atë në vrapin e pandaltë të saj.
Por cila është arsyeja që Njeriu nuk e sheh më atë si një pikë referimi?
Njeriu është një qenie që përshtatet dhe në këtë botë që nuk ndalet, libri mendohet të ruajë ritmin e vet të ngadaltë, gjithmonë të thelluar në të nxënit e tij.
Por a kemi ne sot kohë të mjaftueshme fizike dhe mendore për t’iu dedikuar atij?
Pas shpërthimit të rrjeteve sociale, materializmit emocional dhe shoqëror, trendeve apo modeleve të fiksuar fort tanimë tek gjeneratat e reja, libri shfaqet i pafuqishëm.
Emocioni apo kënaqësia që ai i ka dhënë Njeriut prej shekujsh, sot që flasim as nuk mund të mendohet. Njerëzit kanë ndryshuar dhe në vend të përmbushjes shpirtërore, ata sot mendojnë për paranë dhe pushtetin.
Nëse librin e konsiderojmë një produkt/ mall në treg, ne e dimë se kërkesa e tij e ulët, ka zvogëluar vazhdimisht në kohë angazhimin krijues të autorëve dhe jo vetëm, edhe një marketing më të fortë të tyre.
Sepse në gjuhën ekonomike kjo do të shpjegohej me zhvillimet dinamike që sjell tregu apo dhe konkurenca, e cila padyshim të zëvëndëson. Sic në fakt është duke ndodhur. Me zhvillimet e reja dhe prurjet që koha sjell, në vend të librit, marketing më i gjerë bëhet për celularët apo dhe tabletët, me të cilat leximi dhe kalimi kohës përqafohet ndjeshëm nga të gjithë.
Por cfarë është libri në thelb?
Përtej disa faqeve të lidhura fort me njëra-tjetrën, libri na ofron një botë të re dhe të panjohur, një këndvështrim të ri. Një zë i cili nëpërmjet narrativës, pa marë parasysh vendndodhjen, kohën apo realitetin e kontentit arrin te ne në formën më të thjeshtë. Cdo fjalë apo frazë është pjesë e një tabloje më të gjerë, e cila shfaq sfidat, shpresën dhe dëshirat e njerëzimit.
Në periudha të vështira libri i ka ndihmuar njerëzit jo vetëm për t’i shpëtuar prej një realiteti mizor dhe të lodhshëm por dhe për të arritur deri në njohjen e vetes dhe botës së tyre. Një hapesirë e qetë ku Njeriu mediton në paqësi duke i dhënë kuptim jetës. Atje ku zhurma e shoqërisë shuhet ngadalë gjatë bashkëbisedimit të heshtur në marrëdhënien e dy botëve lexues- autor.
Por libri ka dhe një fuqi tjetër; forcën për të të ndryshuar si person. Ka dhe të tjera si ndijimi emocional, nxitja e inisiativës, hapja e horizonteve të reja, përmirësimi në artikulim dhe zbulimin e disa të vërtetave që Njeriu vetë as nuk i njihte. Këto janë disa nga shumë faktorë që njeriu përfiton prej librit.
Po cili është realiteti përballë këtyre fakteve?
Një përbuzje e paqëllimtë nga të rinjtë për librin duke e përcaktuar të mërzitshëm, të panevojshëm apo dhe humbje kohe marrjen me të. Për sa kohë rrjetet sociale janë i vetmi libër që ata lexojnë, prognoza e një shoqërie të ardhshme më të kontrolluar e mekanike do të jetë lehtësisht më e realizueshme.
Plani për të formatuar mendimin dhe kuriozitetin, pritet t’i rreshtojë humanët krah zhvillimeve robotike që do sjellë IA, në epokën e re, atë të tekno-njeriut.
Andaj libri shihet me dyshim prej teknologjisë dhe zhvillimeve të saj. Roli tij si një mik i mirë dhe i këndshëm për ne pritet të zbehet nga scrolling-u mediokër e i përorshëm. Pakica e mbetur duket e pafuqishme për ta sjellë atë edhe njëherë në vëmendje ashtu sic ishte shekuj më parë, një burim jete dhe vizioni.