Reshje intensive dhe të dendura shiu priten në orët në vijim në Shkodër dhe Lezhë, duke bërë që institucione të shumta një vend të fillojnë marrjen e masave përkatëse, për të minimizuar dëmet e mundshme nga përmbytjet që mund të shkaktohen.
Në qarqet e tjera ndërkaq pritet mot i kthjelluar, me alternime.
Sipas një njoftimi zyrtar, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, së bashku me atë të Brendshëm, Ervin Hoxha, me ministren për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, Anila Denaj, si edhe drejtues të tjerë institucionesh, janë në kontakt të vazhdueshëm me krerët e bashkive dhe prefektët e qarqeve Shkodër dhe Lezhë.
Përmes një publikimi në media sociale, disa detaje rreth përgatitjeve i ka shpërndarë ministri Vengu:
Dakordësuam masat parandaluese që duhet të ndërmarrim bashkërisht
në orët në vijim:
– Inspektime mirëmbajtëse në infrastrukturën kulluese, kolektorët në zonat urbane dhe hidrovorët;
– Gatishmëri teknike e Brigadës së Emergjencave Civile dhe Forcave të Armatosura të Vaut të Dejës në mbështetje të ekipeve vendore;
– Sensibilizim i qytetarëve të zonave me risk për masat individuale mbrojtëse.
Monitorimi i vazhdueshëm i situatës dhe gatishmëria e Emergjencave Civile janë një parakusht për të minimizuar pasojat e këtij fronti reshjesh për Lezhën dhe Shkodrën, ku puna për të mbajtur të hapura akset rrugore kombëtare dhe rurale, dhe për të mirëmbajtur kolektorët dhe kanalet kulluese, do të vazhdojë.