Daron Acemoglu, Simon Johnson dhe James A. Robinson u nderuan me çmimin Nobel në ekonomi për kërkimin që demonstron “rëndësinë e institucioneve shoqërore për mirëqenien e një vendi”. Komiteti i Nobelit vlerësoi treshen për shpjegimin pse “shoqëritë me një sundim të dobët të ligjit dhe institucionet që shfrytëzojnë popullsinë nuk gjenerojnë rritje ose ndryshim për mirë”.

“Kur europianët kolonizuan pjesë të mëdha të globit, institucionet në ato shoqëri ndryshuan”, tha komiteti, duke cituar punën e treshes. Ndërsa në shumë vende kjo kishte për qëllim shfrytëzimin e popullsisë autoktone, në vende të tjera hodhi themelet për sisteme gjithëpërfshirëse politike dhe ekonomike.

“Laureatët kanë treguar se një shpjegim për dallimet në prosperitetin e vendeve janë institucionet shoqërore që u prezantuan gjatë kolonizimit,” shtoi komiteti.

Vendet që kanë zhvilluar “institucione gjithëpërfshirëse” janë bërë me kalimin e kohës të suksesshme, ndërsa ato që kanë zhvilluar “institucione nxjerrëse” kanë përjetuar rritje të ulët ekonomike të vazhdueshme. Tre ekonomistët do të ndajnë një çmim prej 11 milionë kronash (1.1 milionë dollarë), deklaroi Akademia Mbretërore e Shkencave Suedeze në Stokholm.

Çmimi prestigjioz, i quajtur zyrtarisht “Sveriges Riksbank Prize” në Shkencat Ekonomike në kujtim të Alfred Nobel është i fundit i çmimeve Nobel të këtij viti dhe vlen 11 milionë korona suedeze. Ndryshe nga çmimet e tjera, çmimi i ekonomisë nuk u vendos në testamentin e Alfred Nobelit të vitit 1895, por nga Banka Qendrore suedeze në kujtim të tij. Fituesi i parë u zgjodh në vitin 1969.

Vitin e kaluar, Claudia Goldin fitoi çmimin “për ndërtimin e bazës së të dhënave që mundëson analizimin e rezultateve të tregut të punës së grave në shekuj”. Hulumtimi i Goldin zbulon shkaqet e ndryshimit, si dhe burimet kryesore të hendekut të mbetur gjinor.

Ndërsa në 2022, çmimi u nda mes tre ekonomistëve amerikanë, ish-kreut të Rezervës Federale të SHBA-së, Ben Bernanke, Douglas Diamond dhe Philip Dybvig, të cilët “kanë përmirësuar ndjeshëm të kuptuarit tonë për rolin e bankave në ekonomi, veçanërisht gjatë krizave financiare, si dhe mënyrën e rregullimit të tregjeve financiare”./ Monitor