Presidentja e Komisionit Europian Ursuala Von Der Leyen e cila vijoi turin e saj në Rajonin e Ballkanit Perëndimor me Serbinë këtë të premte, pasi takoi Presidentin Aleksandër Vuçiç anuloi takimin e planifikuar me kryeministrin Serb Millosh Vuçeviç.
Raportimet e para mbi anulimin e këtij takimi erdhën nga mediat serbe qe thane se shkak për këtë anulim ishte fakti se Kryeministri Serb ishte takuar me Ministrin Rus të Zhvillimit Ekonomik Maksim Reshetnikov.
Lajmi u konfirmua më pas edhe nga zëdhënësi i Komisionit Europian Eric Mamer. Kryeministri Serb, Millosh Vuçeviç u takua me Ministrin Rus te Zhvillimit Ekonomik këtë të premte në Beograd, ndërsa kreu i Shtetit Serb po mirëpriste në të njëjtën kohë në takim Presidenten e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen.
Bashkimi Europian ka zbatuar një sërë paketash me sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e paligjshëm të këtij vendi ndaj Ukraines.
Nga ana tjetër Serbia është ndër të paktat vende në Europë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës mbi nisjen e Luftës në Ukrainë.
Gjate fundjavës së shkuar Presidenti Serb Aleksandër Vucic dhe Presidenti Rus Vladimir Putin zhvilluan një bisede telefonike, ku Vuçiç i garantoi homologut se vendi i tij nuk do të vendosë sanksione ndaj Moskës. Beogradi Zyrtar është përballur me kritika nga Brukseli mbi vendimin qe ka ndërmarrë për të mbajtur marrëdhënie të mira me Rusinë.