Drejtoresha e Institutit të Statistikave (INSTAT), Elsa Dhuli, në një konferencë për mediat, u shpreh se Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur në vlerën e 3.9 %, duke treguar një performancë pozitive të ekonomisë në tërësi.
Ajo theksoi së në këtë shifër ka ndikuar edhe rritja e turizmit. Sipas saj, për të pasur një të dhënë më të saktë, sektor i turizmit duhet të matet së bashku dhe me sektorë të tërë, për të kuptuar kontributin real të tij në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
“Rritja reale e PBB-së në gjashtëmujorin e parë të viti 2024 vlerësohet me 3,94%.”, tha ajo.
Po ashtu një tregues tjetër, i cili konfirmon performancën pozitive të ekonomisë dhe sektorit të prodhimit janë eksportet. Ajo theksoi se eksportet janë rritur me 4.89%.
“Eksportet u rritën me 4.89%”, tha ajo.
Më tej, Dhuli tha se komponentët kryesorë të PBB–së me metodën e shpenzimeve, për tremujorin e dytë të vitit 2024, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2023, paraqiten si më poshtë:
– Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 6,01%;
– Konsumi final i qeverisë u rrit me 6,72 %;
– Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u rrit me 3,81 %;
– Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 4,89 %, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën
me 5,64 %.