Policia ka reaguar në lidhje me ekzekutimin e 28-vjeçarit Klajdi Prendi pak pas mesnatës.

Sipas tyre vrasja ka ndodhur rreth orës 00:36, e më pas i riu është dërguar në spital. Si pasojë e plagëve të marra i riu nuk ka mundur të mbijetojë.

“Më datë 19.11.2024, rreth orës 00:36, në rrugën “Xhanfize Keko” , dyshohet se është qëlluar me armë zjarri shtetasi K. P., rreth 30 vjeç, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore por si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë.

Rreth orës 01:05, në afërsi të Liqenit të Farkës është konstatuar duke u djegur një mjet tip “Audi”.

Një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë rrethanave të ngjarjes, dokumentimin e plotë ligjor të saj, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar”, thuhet në njoftimin e policisë.

28-vjeçari Klajdi Prendi u ekzekutua pak pas mesnatës në kryeqytet, me plumb në kokë dhe gjoks. Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, mëson se viktima është djali i ish-gjyqtarit për krimet e rënda, Fran Prendi.

Ai u qëllua me armë me silenciator, ndërsa në spital është dërguar nga miqtë e tij. Pas ngjarjes është gjetur një makinë e djegur në zonën e Farkës, teksa mendohet se u përket autorëve.

Në foto është vitkima Klajdi Prendi, 28 vjeç: