Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku dhe Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha mblodhën në Fier, në një tryezë diskutimi, prefektët e 12 qarqeve të vendit.
Sezoni turistik, menaxhimi i emergjencave, rendi dhe siguria publike, si dhe kontrolli në territor ishin në fokus të këtij takimi.
Në fjalën e saj, Zëvendëskryeministrja Balluku theksoi rëndësinë e rolit të prefektëve në koordinimin e institucioneve dhe agjencive shtetërore në qark. Balluku kërkoi prej tyre një angazhim më të madh për një menaxhim sa më të mirë të çdo situate, veçanërisht ato që lidhen me emergjencat.
“Do të duhet që të kemi një plan masash të mirëfilltë dhe duhet të rishikojmë planet ekzistuese, përsa i përket emergjencave civile.
Ndryshimet klimaterike tashmë nuk po kursejnë askënd. Të gjitha njësitë, të gjithë prefekturat, duhet që të rifreskojnë planin e masave. Duhet të ketë një angazhim maksimal dhe koordinim me emergjencat civile. Në dijeninë time edhe Ministri i Mbrojtjes ka nisur një tur takimesh, duke pasur parasysh edhe buxhetimin e vitit 2025. Përveç faktit që janë listuar dhe inventarizuar të gjitha kërkesat, nga ana tjetër përveç makinerive apo forcave të shtuara që do të kërkohet, do të kërkohet dhe një plan i mirë efiçient për përballimin e të gjithë problematikave që mund të vijnë me shirat e vjeshtës apo dhe me ngricat gjatë dimrit”, nënvizoi Balluku.
Me afrimin e dimrit, shtoi më tej Balluku, është e rëndësishme një koordinim edhe më i mirë për menaxhimin e çdo situate si pasojë e motit të keq.
“Ne do të qëndrojmë në kontakt, pasi po futemi në një periudhë e cila duhej të quhet ‘vjeshta e vonë’ tashmë, sepse jemi në prag të dimrit, megjithatë me ndryshimin e kushteve klimaterike kjo vjeshtë është zgjatur. Ndaj unë besoj që në javët në vazhdim do të kemi edhe fillimin e reshjeve nga të gjitha informacionet që kemi nga meteorologët e aviacionit civil, kështu që do të duhet një angazhim i të gjitha strukturave”, theksoi Balluku.
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha kërkoi marrjen e masave të menjëhershme në çdo qark, në kuadër të emergjencave civile.
“Riorganizimi i Komisionit të Mbrojtjes Civile në Qark, përditësimi i planeve të emergjencave civile me ndryshimet e ndodhura, përditësimi i kontakteve dhe rrjetit të komunikimit, për të bërë lajmërimin e hershëm funksional, sensibilizimi i komunitetit për t’u përgatitur për vështirësitë e sezonit dimëror si dhe bashkëpunimi me të gjitha Agjencitë e Drejtoritë Rajonale, bashkitë në territorin e qarkut, si dhe me subjektet private për realizimin e detyrave, sipas udhëzimeve të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile”, theksoi Hoxha.
Nga ana e tyre prefektët prezantuan një raport mbi situatën në secilin prej qarqeve dhe problematikat me të cilat po përballen.