Kryetari i bashkisë së Shkodrës Benet Beci ka mohuar sot lajmet për dorëheqjen nga Bashkia, pasi Prokuroria e Posaçme i ka komunikuar akuzën. Teksa po inspektonte disa punime, Beci ka theksuar se ata po vazhdojnë punën siç e kanë nisur. Ndërkohë që ka shtuar se në SPAK ka shkuar për të dhënë shpjegime, pasi është thirrur.

“Ne vazhdojmë punën, sigurisht jam paraqitur për të dhënë shpjegime normalisht. Kush do të merret me llafe të merret me llafe, mendoj se kryesorja është që ne të vazhdojmë investimet, punët, Shkodra nuk ka të ndalur në rrugën që ka marrë’, tha Beci.

Prokuroria e Posaçme i ka komunikuar akuzën kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci. Ky i fundit dyshohet për veprën penale të korrupsionit gjatë pozicioneve të mëparshme që ka mbajtur. Gjithashtu mësohet se avokati i Becit është njohur me të dhënat e SPAK në përfundim të hetimeve.