Në orët e para të mëngjesit me orën tonë lokale, por në mbrëmje më orën e New Yorkut është organizuar një darkë për mbledhje të fondeve për Hashim Thaçin. Konkretisht darka është organizuar në restorant “Arka” në një nga periferitë e New Yorkut, ndërsa të ardhurat dhe fondet e mbledhura do të shkojnë për procesin legal të Hashim Thaçit.

Shpenzimet e Thaçit dhe politikanëve të tjerë kosovarë që ndodhen në Hagë, sipas ligjit duhet t’i paguante parlamenti i Kosovës. Por për shkak të buxhetit të limituar qeveria e Kosovës nuk i siguron dot të ardhurat financiare që duhen për proceset gjyqësore. Në këtë takim do të jenë pjesëmarrës persona nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora. Sipas burimeve, i pranishëm në darkën e mbledhjeve të fondeve i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, si një nga iniciatorët.

Hashim Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, kur dha dorëheqjen nga posti i presidentit pasi akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër tij u konfirmuan nga një gjyqtar i procedurës paraprake në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Ai dhe të pandehurit e tjerë bashkë me të, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të gjithë ish-udhëheqës të UÇK-së të kthyer në politikanë, akuzohen se mbajnë përgjegjësi individuale dhe komanduese për krime që u kryen kryesisht kundër të burgosurve të mbajtur në burgjet e UÇK-së në Kosovë dhe Shqipërinë fqinje, duke përfshirë 102 vrasje. Të pandehurit, të cilët të gjithë janë vetëdeklaruar të pafajshëm, dyshohet se i kryen krimet midis të paktën marsit 1998 dhe shtatorit 1999, gjatë dhe menjëherë pas luftës me forcat serbe.