Ish kancelarja gjermane Angela Merkel ka dhënë një interviste ekskluzive për prestigjozen italiane ‘Corriere della Serra’, në të cilën ka dhënë këndvështrimin e saj për të kaluarën dhe aktualitetin.
INTERVISTA:
Zonja Kancelare, ju keni drejtuar Gjermaninë për 16 vite dhe jeni cilësuar si gruaja më e fuqishme në botë. Çfarë është pushteti për ju?
“Për mua, pushteti është mundësia për të formësuar diçka. Të kesh shumicën, të marrësh vendime që lënë gjurmë së bashku me njerëzit që kanë marrë mandatet e tyre. Të përpiqesh vazhdimisht të ndërtosh dhe të bashkosh shumica, të gjesh kompromise. Kjo është pushteti:, thotë Merkel.
Që nga dhjetori i vitit 2021, kur Angela Merkel u largua nga kancelaria, gjurmët e saj u bënë thuajse të padukshme. Pak dalje publike: u raportua se ishte me pushime në Firence, Austri, në Detin Baltik ose në rezidencën e saj të qetë në Brandenburg, si dhe në festimet e 70-vjetorit me CDU-në. Megjithatë, pas nisjes së agresionit rus kundër Ukrainës, emri i saj është përmendur shpesh, dhe në mënyrë kritike.
Merkel, kancelarja e Gjermanisë për 16 vite dhe liderja e padiskutueshme e Europës, është cilësuar si përgjegjëse për mosparashikimin e qëllimeve hegjemonike dhe luftarake të Vladimir Putinit, duke preferuar ta qetësonte me negociata dhe lëshime. Ajo gjithashtu është kritikuar për shmangien e reformave të vështira, por të domosdoshme për modelin gjerman, duke e kthyer vendin në “të sëmurin e madh të Europës.”
Kur e takuam në një sallë private të Bocca di Bacco, restoranti i saj i preferuar italian, duket sikur koha nuk ka kaluar: xhaketë me ngjyrë (këtë herë prugna) mbi pantallona të zeza, një gjerdan me qelibar, vetëm këpucët janë më të rehatshme dhe më të ulëta.
Jemi disa blloqe larg ish-pikës “Checkpoint Charlie,” kalimi në Murin që ndante Berlini, për të cilin ajo thotë: “Për 35 vitet e para, gjysmën e jetës sime.”
Merkel i kishte dedikuar dy vitet e fundit për të shkruar kujtimet e saj me Beate Baumann, bashkëpunëtoren e saj të ngushtë që nga viti 1990. Libri titullohet Liria dhe del të martën njëkohësisht në 30 vende (në Itali nga Rizzoli). Libri përfshin kujtimet e saj mbi DDR-në, Putin, Trump, Berlusconin dhe mbrojtjen e saj ndaj kritikave. Në prag të publikimit, Merkel pranoi t’i përgjigjet ekskluzivisht pyetjeve të Corriere della Sera.
Askush nga liderët perëndimorë nuk e ka njohur Vladimir Putinin më mirë se ju. Ju akuzojnë se nuk i keni parë synimet e tij agresive, duke injoruar faktin që ai dëshironte të shkatërronte rendin europian. Çfarë përgjigje jepni?
Merkel: Unë i njihja shumë mirë synimet e presidentit Putin. Ai i ka shprehur gjithmonë publikisht dhe në bisedat konfidenciale. I dija shumicën e objektivave të tij dhe e kuptoja që nuk po përballeshim me një mik të Europës. Çështja ishte si t’i përgjigjeshim kësaj. Përgjigjja ime nuk ishte të ndërprisja çdo kontakt me të, por të përpiqesha të ndaloja pushtimin e Ukrainës përmes bisedimeve, ndonjëherë shumë polemike, ku nuk i shmangesha asnjë fjale të drejtpërdrejtë. Për një periudhë kjo funksionoi. Me fillimin e luftës ruse kundër Ukrainës, situata ndryshoi rrënjësisht.
Si është Vladimir Putini?
Merkel: Për mua, momenti më i gëzuar i jetës – përfundimi i Luftës së Ftohtë, rënia e Murit, ribashkimi i Gjermanisë dhe uniteti i Europës – për të është lidhur me fatkeqësinë më të madhe të shekullit XX, rënien e Bashkimit Sovjetik. Kjo tregon se pikëpamjet tona ishin diametralisht të kundërta. Putini kërkonte ta kthente Rusinë në një fuqi të madhe. Por nuk ishte në gjendje ta bënte këtë ekonomikisht, duke siguruar mirëqenie për të gjithë. Në vend të kësaj, ai u mbështet te metodat që kishte mësuar në KGB, përmes forcës ushtarake dhe nacionalizmit rus. Kështu, nuk u realizuan shumë shpresa që kishim në vitin 1990 për një rrugë të gradualshme demokratizimi të Rusisë.
Pse në vitin 2015, një vit pas aneksimit të Krimesë, nuk e ndaluat projektin e gazsjellësit Nord Stream 2?
Merkel: E konsideroja detyrën time të siguroja që ekonomia gjermane të përfitonte nga mundësia e gazit të lirë. Sot shohim pasojat e kostove të larta të energjisë për Gjermaninë. Gjithashtu, për arsye politike dëshiroja të ruaja marrëdhëniet ekonomike me Rusinë, në mënyrë që edhe ajo të mund të përfitonte nga mirëqenia.
Në libër, ju thoni se “parandalimi” dhe “veprimi diplomatik” duhet të shkojnë gjithmonë bashkë. A mendoni se një negociatë me Putinin për Ukrainën do të jetë e mundur së shpejti?
Merkel: Kombinimi i të dyjave është i nevojshëm, bisedat dhe kontaktet, por edhe parandalimi. Mbetem e bindur për këtë. Megjithatë, në Gjermani nuk arritëm të ndërtonim shpejt një potencial të mjaftueshëm parandalues. Kjo ishte më shumë për shkak të partnerit tonë qeverisës, SPD-së, sesa partisë time, CDU-së, megjithëse si kancelare mbaj përgjegjësinë. E vërtetë që rritëm shpenzimet për mbrojtjen drejt 2% të PBB-së, por jo mjaftueshëm. Kjo duhet të rikuperohet tani me shpejtësi.