Sondazhet i vendosin zgjedhjet në SHBA në tehun e thikës, thotë AFP, por teksa amerikanët i drejtohen qendrave të votimit, një bebe hipopotam, që në Tajlandë ka gati statusin e super ylli, parashikon rikthimin e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.
Kafsha e pagëzuar me emrin Moo Deng, ka pushtuar internetin me veprimet e saj të adhurueshme në kopshtin zoologjik Khao Kheow Open, duke u kthyer në element qendror memesh në mediat sociale, e duke frymëzuar edhe reklama mallrash. Tani Moo Deng, parashikon një fitore të republikanit ndaj sfidantes së tij demokrate. Hipopotamit katër muajsh iu ofruan dy pjata me fruta të gdhendura, secila e zbukuruar me emrat e njërit prej kandidatëve, dhe ai zgjodhi pikërisht atë me emrin e Trumpit.
Moo Deng është kthyer në hit edhe në Shtetet e Bashkuara, ku komediani Bowen Yang e portretizoi në një skeç në “Saturday Night Live”. E ndërsa aftësitë parashikuese të hipopotamëve mbeten të patestuara plotësisht, ka pasur edhe të tjera gjallesa që kanë arritur famën globale duke parashikuar rezultatin e ngjarjeve botërore, siç ishte oktapodi legjendar Paul, i cili nga akuariami i tij në Gjermani parashikoi saktë tetë ndeshje në Kupën e Botës 2010.