Investimet për Shkodrën po vijojnë në disa kantiere duke e transformuar më tej qytetin “djep të kulturës” shqiptare.

Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje disa prej kantiereve të hapura të punës në Shkodër.

Aktualisht po punohet për transformimin e Zdrales; kolektorin kryesor të qytetit; tregun në lagjen Rus si dhe fushën sportive në shkollën “Adem Haxhija”, Postribë.

Një kantier i rëndësishëm investimesh, është ai për rilindjen e zonës historike 300-vjeçare të Zdrales, ku puna ka nisur nga rruga “Hamz Kazazi” për lotin e parë të këtij investimi.

Investimi në këtë zonë vjen si nevojë e një transformimi të domosdoshëm, përmes vitalizimit urban dhe rilindjes së traditave më të bukura që kjo zonë mbart ndër vite.

Ndërkohë po punohet edhe për rehabilitimin e tregut në lagjen Rus, ku ushtrojnë aktivitetin 52 tregtarë.

Po ashtu prej disa ditësh në Shkodër ka nisur puna për pastrimin e kolektorit kryesor të qytetit të Shkodrës, në zonën e Perashit, i cili rrezikonte qytetin sa herë kishte reshje intensive shiu.

Bashkia e Shkodrës ka ngritur një grup të përbashkët pune, për evidentimin e të gjithë ndërtimeve, avlli apo gardhe të cilat bllokojnë sistemin e kullimit të qytetit në kolektorë dhe do të vijojë për pastrimin e plotë të tyre.