Kryeministri Edi Rama ka treguar episode interesante nga vizita e tij në Londër. Kreu i qeverisë tha se është takuar dhe pritur nga një numër i madh shqiptarësh të cilët punonin në taksi, hotele dhe deri te Parlamenti angles. Rama thekson se në mjaft momente ekipi që merrej me sigurimin e tij shqetësoheshin nga situatat, por që kryeministri kujton se në çdo rast iu drejtohej atyre: “Don’t worry, I’m in home”.

Rama: Tek vija tek ju më kujtoheshin fjalët e asaj e asaj politikanes britanike dhe besoj që e mbani mend të gjithë ish-ministre e Brendshme e këtij vendi përpara pak a shumë 1 viti, një tip që u bë mëshirimi i politikës djallëzore të diskriminimit etnik duke na treguar me gisht ne shqiptarët si rrezik për Mbretërinë e Bashkuar. Doli në Parlamentin britanik dhe tha se çfarë po ndodhte me prurjen e shqiptarëve ishte një pushtim. Na bëri pushtues a thua se kishim ardhur për të kërkuar kokën dhe kurorën e mbretëreshës dhe jo për të punuar me kokën ulur dhe me kurorën e djersës rreth ballit duke ndihmuar edhe ekonominë britanike që vuan gjithnjë e më shumë për krah pune. U ngritën edhe disa të tjerë pas zonjës sikur ishin vikingë me shpata në duar, shoferë, kamionistë, kamarierë, dhe ambasadori ynë këtu në Londër është njëri prej tyre i ardhur që i vogël me gomone dhe i rritur e i bërë burrë në korridoret e shkollave më prestigjioze britanike. Edhe shqiptari nga Malësia e Madhe që bëri shoferin për mua këtë herë ka ardhur me kamion nga Italia, 28 orë i mbuluar mes mallrave dhe sot ka një kompani private sigurie me 120 punonjës me shqiptarë, polakë, italianë… Hyj në hotel sapo arrita dhe ulem për një kafe, vjen kamarieri dhe më flet shqip, truproja e sheh dhe unë i them: Don’t Worry, I’m in home. Dal të nesërmen në mëngjes te dera e hotelit dëgjoj britma Edi Rama, Edi Rama, truprojat u vunë në lëvizje, shoh tre punëtorë në skela te godina ngjitur, ata në shqip: “Ktheu për një kafe o burrë nga ora 4”. “Don’t Worry, I’m in home” i them truprojës. Por kulmi ishte në Parlamentin anglez, mu te dera, një roje i Parlamentit: “Ku je bre kryeministër, mirë se keni ardhur në Londër”, aty i them truprojës: “Are you from Albania to my friend”? Por ça të thuash, këto janë kohërat ku jeton bota dhe ne shqiptarët bashkë me të. Por ama një gjë është e sigurtë, ajo teta që ju tregonte ju me gisht iku nga pushteti bashkë me shpurën e saj, kurse ju ja ku jeni, këtu ku ishit, shqiptarët e Europës në Londër, qytetarët e botës ku më në fund emri Shqipëri ju bën krenarë edhe këtu në Angli.