Me male mahnitëse, plazhe idilike, ushqim të mrekullueshëm dhe fshatra mesjetare – pa turma vizitorësh – ky vend i vogël ballkanik meriton të jetë në listën tuaj të udhëtimeve, shkruan Robert P. Walze në një artikull të botuar në të përditshmen amerikane “The Wall Street Journal”.
I apasionuar pas aventurës së çiklizmit, një herë në vit, bashkë me një mikun tim planifikojmë një udhëtim me biçikletë.
Këtë vit, ne patëm mundësi të eksploronim një cep të ri të globit.
Të përkushtuar ndaj këtij aktiviteti, ne kemi arritur të eksplorojmë disa nga të destinacionet e njohura si Franca dhe Spanja, dhe disa më pak të njohura, si Etiopia.
Megjithatë, kur miku im sugjeroi destinacionin e këtij viti – Shqipërinë – unë pata dyshime.
Pas hulumtimit të Shqipërisë, zbulova se ashtu si Italia dhe Franca, ky vend i vogël mesdhetar kishte male alpine të larta, një rivierë me ujëra të pastra bruz, një kulturë të pasur ushqimore, histori antike dhe fshatra mesjetare.
Nuk është për t’u habitur, që ish-provinca osmane po bën bujë në mesin e vizitorëve të zgjuar – fillimisht evropianëve dhe tani, një numër gjithnjë e më i madh amerikanësh.
Shqipëria u bashkua me NATO-n në vitin 2009 dhe që atëherë është bërë një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Një aeroport i ri ndërkombëtar dhe disa hotele moderne do të hapen vitin e ardhshëm dhe një resort luksoz në ishull po planifikohet nga dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner.
Por, tri dekada pas rënies së diktaturës represive komuniste, ky vend ballkanik ende ndihet i pazbuluar.
Kur unë dhe miku im mbërritëm në kryeqytet, Tiranë, në fund të shtatorit, ajri alpin ishte ende i ngrohtë.
Për të menaxhuar udhëtimin tonë, ne punësuam një udhërrëfyes lokal çiklizmi, një emigrant amerikan me ngjyrë, i cili, në përpjekje për t’i shpëtuar politikës dhe racizmit amerikan, ishte zhvendosur në Shqipëri si një nomad dixhital tre vjet më parë.
Gjatë një rrugëtimi 5-ditor nëpër qytetet bregdetare të Vlorës, Himarës, Sarandës dhe Ksamilit, si dhe Qytetin e Gurtë të Gjirokastrës, ne pedaluam një rrugë malore, gjarpërore të rrethuar nga pisha dhe bredhi.
Në pika të ndryshme, pamjet mahnitëse të deteve Jon dhe Adriatik na kujtuan Bregun e Paqësorit të SHBA-së dhe Bregun Amalfi të Italisë.
Gjatë rrugës hëngrëm byrek, një pastë e mbushur me djathë e ngjashme me spanakopitën e Greqisë.
Gjithashtu, në dietën tonë ishin peshqit, makaronat dhe pica – të gjitha reflektime të lidhjeve të ngushta kulturore të Shqipërisë me Italinë, fqinjin e saj përtej Adriatikut.
Në të gjithë vendin, kostoja për një darkë të bollshme me verë shkonte më pak se 20 dollarë dhe akomodimi në një hotel me katër yje, nën 100 dollarë.
Në një ditë me shi, ne vizituam Kalanë e rëndësishme strategjike të Porto Palermos, e ndërtuar nga sundimtari legjendar shqiptar i shekullit XIX, Ali Pasha, në një gji të bukur për të forcuar kontrollin e tij mbi rajonin.
Kalaja mbresëlënëse, e cila ishte një bazë nëndetëse sovjetike gjatë epokës komuniste të Shqipërisë, nuk ishte në shkallën gjigante të Carcassonne në Francën jugore.
Në fshatin bregdetar të Vlorës, ku Shqipëria shpalli pavarësinë në 1912, ishim të vetmit vizitorë të Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në një godinë të vogël ku sundonte qeveria e parë.
Të rrethuar nga imazhet e etërve themelues të Shqipërisë me mustaqe dhe disa me kapele me majë të sheshtë, një guidë vendase na njohu me historinë e zonës – të gjitha të përfshira në tarifën e hyrjes prej 3 dollarësh.
Ne u ndeshëm me një turmë vizitorësh në Gjirokastër, një vend malor i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i mbuluar në mënyrë dramatike nga një Kala e epokës bizantine.
Vizitorët hynë në fshatin me kalldrëm 1000-vjeçar me një bukuri të botës së vjetër të ngjashme me qytete si Siena apo Bruges.
Qendra e saj është e ndarë, jo nga një katedrale, por nga një minare e lartë e Xhamisë së Madhe të qytetit, e vendosur mes një pazari shumëngjyrësh.
Kalaja e famshme e Gjirokastrës ishte më e qetë, ndoshta pasi kureshtarët duhet të ngjiteshin më këmbë për të arritur majën e saj.
Por, udhëtimi ia vleu, veçanërisht për muzeun magjepsës që rrëfen të kaluarën shumëngjyrëshe ushtarake të Shqipërisë.
Artifaktet brenda përfshijnë një luftëtar të Forcave Ajrore të SHBA-së të epokës 1950 që Shqipëria thotë se e kapi gjatë një inkursioni.
Në oborrin e jashtëm të “Hotel Seaside” në Vlorë zhvilluam një bisedë me pronarin miqësor, Agron Agalliu.
Mikpritja e ngrohtë për të cilën njihen shqiptarët – u shfaq ndërsa na servirte gotat me raki të bërë vetë dhe na shpjegoi me detaje se si bëhej kjo pije tradicionale shqiptare.
Në Tiranë, u takuam me Harel Kopelman, një banor izraelito-amerikan, i cili bashkëthemeloi një qendër kulturore të quajtur “Nata Shqiptare”, në një nga bar-kafetë e kudogjendura të kryeqytetit.
“Amerika është e njohur në Shqipëri, pjesërisht për shkak të avokimit të presidentit Wilson për pavarësinë e Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore dhe ndërhyrjes së presidentit Clinton në luftën në Kosovë, e cila është e populluar nga shqiptarë etnikë”, tha ai.
“Shqipëria është si shteti i 51-të”, shtoi ai.
“Njerëzit këtu i duan amerikanët. Duke folur për veten time, tani mund të them se ndjenja është krejtësisht e ndërsjellë”, tha ai.
Mbërritja:
Megjithëse, aktualisht nuk ka fluturime amerikane pa ndalesë për në Shqipëri, Tirana mund të arrihet përmes shumë qyteteve të njohura evropiane, duke përfshirë Londrën, Parisin dhe Romën.
Po shkoni në Rivierën e Shqipërisë? Rezervoni një fluturim për në Korfuz, Greqi dhe merrni një traget për një orë për në Sarandë.
Akomodimi:
“Xheko Imperial Luxury Hotel & SPA” në Bllok të mbushur me ambasada të Tiranës ka një bar dhe restorant me pamje panoramike të qytetit dhe maleve përreth (nga rreth 300 dollarë).
Në qytetin e Vlorës, “Priam Hotel Luxury Resort” është një opsion elegant buzë detit (nga 250 dollarë dhe 700 dollarë në verë).
Ushqimi:
Në Tiranë, “Sofra e Ariut”, shërben ushqime të shijshme tradicionale shqiptare në një shtëpi prej druri të vendosur në një park të gjelbëruar.
Diçka pak më moderne? “Salt Tirana” ofron një menu të larmishme, të përqendruar në ushqimet e detit, sushi dhe shumë ushqime të tjera.