Trafiku i drogës nga Ekuadori drejt e në Milano u “organizua” nga 2 shqiptarë, Albert Turja dhe vëllai i tij, Rolandi. “Corriere” i ka dedikuar një artikull dy vëllezërve nga Shqipëria duke zbuluar detaje nga hetimi i Prokurorisë, organ ligjzbatues që deri më tani ka prerë 30 urdhërarreste. Sipas medias italiane, Albert Turja dhe vëllai i tij merrnin drogën që vinte në portin e Livornos për në Ekuador.

Ngarkesat e kokainës bliheshin në Kolumbi, duke vinin në Itali të fshehura mes arkave me banane, apo mes frutave të tjerë ekzotikë, një skemë tashmë e njohur. Në portin e Livornos mëpas shkonin përfaqësues të ‘ndrina Molè’, një bandë kalabreze nga fusha e “Gioia Tauro” e specializuar në trafikun e drogës.

Menaxhues i ekipeve të ndërhyrjes për marrjen e drogës nga porti ishte 44-vjeçari, Albert Turja, banues në Santa Croce sull’Arno, por edhe me interesa në Firence, ku ai zotëronte një biznes në via Martelli, të cilin e drejtonte së bashku me bashkëshorten e tij. Sipas prokurorisë, për të menaxhuar trafikun e drogës që do të importohej në Itali, kujdeseshin eksponentë të ‘Ndrangheta, Camorra dhe banda shqiptare. Lidhje kishin edhe në Belgjikë, Shqipëri, Francë dhe Gjermani, si dhe në Kolumbi dhe Ekuador. Pra kudo kishin “aleatë”.

Edhe pse fshihej pas biznesit të hotelerisë në Firence, sipas hetimeve të Guardia di Finanza, puna e vërtetë e Albertit, i cili përfundoi në burg së bashku me vëllain e tij Rolandin, 38 vjeç, ishte trafiku i drogës. Ishte vetë Alberti ai që mbante kontakte me Ekuadorin, ku kishte persona që bënin blerjen e drogës direkt në Kolumbi dhe e sillnin në Itali. Po sipas mediave italiane, vëllezërit Turja kishin bashkëpunëtorë brenda portit të Livornos, të cilët i informonin se ku ndodheshin konteinerët, por nuk janë identifikuar.

Ekipi i “rikuperimit” të drogës.

Teknika e përdorur nga skuadra ishte gjithmonë e njëjtë: inspektime, dylbi duke pritur për mbërritjen e anijes që sillte kontejnerin me drogë, madje ndonjëherë hiqeshin si peshkatarë që prisnin në port me një kallam peshkimi. Këtë skemë e përdornin për të mos tërhequr shumë vëmendje.

Pasi konteineri identifikohej, ekipi vendoste një GPS për të ndjekur lëvizjet e tij. Droga nxirej vetëm gjatë natës që të shmangeshin persona të tjerë dhe të lajmëronin Policinë e Shtetit. Më pas, për transferimin e drogës përdoreshin makina me dy funde, disa të ardhura direkt nga Shqipëria. Ekipi i rikuperimit ishte i pajisur nga organizata me të gjitha mjetet e punës: gërshërë, prerëse teli, levë, thasë për të mbajtur drogën dhe gjithashtu litarë në rast se droga ishte vendosur shumë larg në kontejner.

Kur situata ishte shumë e ndërlikuar, grupi arriti të merrte edhe një ekip të specializuar nga Shqipëria, “profesionistë të lirë”, të cilët paguheshin me lëndë narkotike, përgjithësisht 30 për qind të vlerës së kokainës që kapnin. Ishte gjithmonë Albert Turja ai që kujdesej për logjistikën: gjente vendin që t’i linte të qëndronin deri në mbrëmje dhe më pas i hipte në barkë për të kryer kontrolle, duke treguar se ku duhet të parkonin për të mos rënë pre e Policisë.