Kanë plot 16 vite bashkë dhe tashmë dashuria për njëri-tjetrin ka marrë një formë tjetër; më e fortë, më e konsoliduar, me Uliksin si fryt të saj, por, pa dyshim, edhe me shumë sfida gjatë viteve. Ama, nëse kthehet pas, diva e skenës shqiptare, siç e njohin të gjithë, do të bënte po të njëjtën zgjedhje dhe do të zgjidhte po të njëjtin njeri, po Valin. Sepse ai i mësoi cila ishte dashuria e vërtetë… Ose, më mirë, të dy bashkë mësuan rrugës çfarë është dashuria e vërtetë, si të rrit dhe si rritet ajo bashkë me ty.
E ftuar në Podcastin “Zë me Mirën”, Adelina Ismaili rrëfeu më shumë për historinë 16-vjeçare me Valin. E mban mend mjaft mirë si nisi dhe si u rrit ajo më tej.
“Vali është aty ku fillon dashuria, ku kam njohur dashurinë e vërtetë. E mësuam bashkë dashurinë e vërtetë. Kam përshtypjen se e rritëm dashurinë dhe e zbuluam, e rizbuluam bashkë” – nis Adelina të rrëfejë duke kujtuar se ajo e njohjes është vërtet një histori interesante.
“Unë kisha bashkëpunim me disa njerëz, kisha përzgjedhur disa njerëz dhe nuk dilja nga bashkëpunimi me ta, por kur erdhi mami më tha “është një klub i ri në Zvicër…”, i thashë “jo, as që bëhet fjalë”. Hajde tha, shikoje. i dërgova një email, ishin rreth 23 kërkesa që duhej të m’i plotësonte për të marrë pjesë në klubin e tij, për të kënduar, sepse ishte bërë rikthimi im në skenë. Unë merresha me ndriçimin e dua kështu, këtë e dua kështu… zërin e dua kështu. Këto nuk i bën diva, i bëjnë asistentët. Ma ktheu një “ok, u bë”. Thashë lum si unë, këtu nuk ka asgjë. Pasi e hëngra dhe thashë “po, do vij”, ika dy javë përpara që t’i mbaroja të gjitha, sepse momenti që më ka ardhur ok, e kam ditur që nuk mbaron asgjë. Thashë do iki t’i mbaroj të gjitha vetë, meqenëse po bëhet rikthimi im aty”.
Përshtypja e takimit të parë ishte për fizikun e tij, e para gjë që i bëri përshtypje ishte bukuria fizike: “Aty e takova, e pashë, m’u duk i bukur, e para gjë që më ra në sy ishte bukuria fizike. Gjithmonë them që e kam puthur e para dhe një ditë më tha “pse po thua në intervista që më ke puthur e para, në faqe më ke puthur”. i thashë “po llogaritet ajo”. Tha “në botën mashkullore nuk llogaritet ajo”. Por unë jam ‘old fashion’ në atë aspekt. E putha në faqe. Pas performancës, më kishte pritur pas skenës dhe më puthi në buzë. Thashë “a je normal apo… (fillova unë e forta e Prishtinës) do të të bëj kështu e kështu… Thashë ku po e gjen guximin? “Hajt tha, mos ki dert për mue…”
Në fakt, ishte një puthje që e shijoi shumë, por kur u kthjellua për atë që kishte ndodhur, kishte një ndjesi të çuditshme. Sot, pas plot 16-vjetësh, këngëtarja kujton se e hidhëroi shumë guximi i tij: “E shijova shumë atë puthje, por kur u kthejllova se çfarë kishte bërë… Më hidhëroi guximi i tij…”
16 vjet bashkë e kanë rigjetur njëri-tjetrin shpesh. Po jetojnë një fazë shumë të bukur tashmë. E kanë rigjetur një dashuri të fortë që ka shumë baza, që ka edhe Uliksin. Nuk dashurohen si ditën e parë, por dashurohen më shumë, çdo ditë që kalon…