Kryeqyteti dhe jo vetëm është tronditur ditën e djeshme nga vrasja e një 14-vjeçari në Tiranë, ku autor ishte bashkëmoshatari i tij. Ky i fundit është vënë tashmë në pranga, ndërsa sipas policisë ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta.

Pas vrasjes autori i mitur ka postuar një foto në aplikacionin “Snapchat”, ku shihet i pashqetësuar për krimin që ka kryer. Në foto si për të demonstruar forcën mban grushtin lart, ndërsa duket edhe plaga që ai ka marrë në dorë.

Autori, Mario Prelleshaj dyshohet se ka qenë në klasë paralele me viktimën, në shkollën 9-vjeçare Fan Noli. Teksa konflikti mes të miturve ka agravuar, ai ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar mbi 14-vjeçarin, Martin Cani. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe ka nisur të humbë gjak, më pas është rrëzuar në trotuarin para shkollës. Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital, ndërsa shoku i tij po ashtu i plagosur ndodhet jashtë rrezikut për jetën.