Nga Eduard Zaloshnja/

Nga sondazhi që zhvillova së fundmi për Report TV, dukej qartë se PS-ja mund t’i siguronte qysh sot 84 mandatet parlamentare e kërkuara nga Rama, në qoftë se do të kishte përballë vetëm PD-në dhe partitë e vogla aleate të saj.

Por në skenë janë futur shumë parti të reja…

Së bashku, ato do të merrnin sot pothuaj 1/5 e votave të zgjedhësve të vendosur për të votuar (brenda dhe jashtë vendit). Dhe po të garonin me një listë të përbashkët (dhe me disa manovra specifike elektorale), ato mund të siguronin sot deri në 28 mandate parlamentare!

Por partitë e reja janë një vathë me shumë desh, ku secili mburret se ka brirë më të mëdha se të tjerët. Si rrjedhojë, ata mund të futen në garë të përçarë, dhe të marrin kështu shumë më pak mandate sa ç’do të merrnin së bashku.

Një problem tjetër me partitë e reja është se, teksa kanë shumë jehonë në rrjete sociale, kanë pak shtrirje në terren. Dhe kur vjen muaji i fundit i fushatës elektorale, terreni bëhet përcaktues…

Sidoqoftë, vota e zgjedhësve jashtë vendit kësaj rradhe mund shtojë një të panjohur në ekuacionin elektoral. Edhe pse partitë e reja mund të jenë larg potencialit të 28 mandateve, ca mandate ato mund t’i marrin – me përkrahje nga votues të këtushëm, e sidomos me përkrahje nga votues në emigracion. Si rrjedhojë, 140 mandatet parlamentare mund të mos ndahen vetëm mes PS-së dhe PD-së.

Me pak fjalë, partitë e reja mund të bëhen pengesë për 84 mandatet e Ramës…