Nga Namir Lapardhaja
Gjuha linçuese dhe narrativa agresive e Sali Berishës vlen për t’u studiuar nga psikologët ose neurologët. Për nga agresiviteti, nuk ka të dytë, ndërsa për nga kreativiteti është e ngjashme me inskenimet e dikurshme të sigurimit të shtetit. Kush ka lexuar dosje të fabrikuara në atë periudhë, e kupton përse e kam fjalën. Problemi është se sa më shumë e ngre ‘stekën’ e akuzave dhe sulmeve, aq më poshtë e ul në të ardhmen e afërt, duke u ‘mbrojtur’ pas justifikimit se ‘kanë qenë akuza politike’. Ndaj është e pamundur me një figurë të tillë të kuptosh se ku ndahet e vërteta nga trillimi, politikja nga realja, interesi publik nga ai vetjak.
Ka 3 vite që sulmon në mënyrë të përbindshme Lulzim Bashën, për atë ndaj të cilit përpara kësaj periudhe fliste me veneracion të paparë. Mjafton të klikosh në internet dhe të shohësh deklaratat e tij publike në drejtim të Bashës dhe të ngresh pyetje: Ky Bashë që sulmohet sot me atë që mburrej dje, është i njëjtë apo i ndryshëm?!
Por Lulzim Basha është ‘preha’ e tij e radhës, nuk është as i fundit as i pari.
E ka bërë këtë gjë me Fatos Nanon, duke e akuzuar si vrasës së Azem Hajdarit dhe pastaj ka dalë e paturpësisht ka thënë që kanë qenë akuza politike. Ka akuzuar Agron Dukën si pjesëtarë të ‘Klanit të Zemunit’ dhe ka bërë më pas koalicion me të. Ka akuzuar Anastas Angjelin si ‘mamuthin e zi të korrupsionit’ dhe e ka votuar për anëtar të Bordit Drejtues të Bankës së Shqipërisë. Më parë kishte akuzuar Neritan Cekën, Arben Imamin, Genc Rulin, Genc Pollon… dhe pastaj bëri aleanca dhe i bëri ministra sikur të mos kishte ndodhur asgjë në të kaluarën. Ka akuzuar dikur si bashkëpunëtor të sigurimit profesor Sami Repishtin, ndërsa ka ngritur Parlamentin në këmbë për të mbajtur një minutë heshtje në nderim të tij kur ai është ndarë nga jeta. Sidomos këtë shtresë e ka poshtëruar dhe përdorur pafund në këtë drejtim. Ka akuzuar Gazment Bardhin si bashkëpunëtor të masakrës në Elbasan në zgjedhjet e vitit 2021, pastaj paturpësisht e ka ulur në prehër prej nga ka deklaruar se nuk kanë qenë të vërteta, por akuza politike.
E gjithë jeta politike e Sali Berishës është një inkoherencë e plotë. Për të ‘e drejtë’ dhe ‘e vërtetë’ nuk kanë qenë ato që duheshin dhe ishin, por ato që atij i kanë interesuar për të qenë. Gjithmonë ai ka krijuar realitete paralele, shpeshherë inekzistente, për të luftuar kundërshtarët e tij dhe për të mbledhur rreth vetes si një rrufepritëse të gjithë budallallikun e të verbërve dhe të shurdhëve në atë parti. Ndaj PD që ai drejton sot është më e vogël se kurrë dhe më e pabesueshme se asnjëherë më parë. Është Berisha dhe ata që ai ka mbledhur rreth vetes që e kanë bërë atë të tillë.