Lulzim Basha i është përgjigjur Sali Berishës, pas deklaratës që ky i fundit ka bërë në News 24, ku është shprehur se ishte shpallur “non grata” nga SHBA sepse Lulzim Basha gjatë kohës që ishte kryetar i PD e kishte “spiunuar” në Ambasadë.
Basha thotë se Sali Berisha nuk ka çfarë t’i japë më PD-së dhe Shqipërisë, sepse as vet nuk i beson mashtrimet që nxjerr nëpër studio për të fsheheur shpalljen “i padëshiruar nga SHBA dhe BE.
“As Sali Berisha vetë nuk i beson më mashtrimet që nxjerr nëpër studio për të fshehur hallin e tij me SHBA, Britaninë e Madhe dhe drejtësinë. Në fund të fundit çfarë mund të presësh nga dikush që me gojën e tij tha “që deklaratat politike nuk kanë asnjë vlerë”.
Mungesa e koherencës dhe raporti i deformuar me të vërtetën janë një nga arsyet pse ai nuk ka më çfarë t’i japë PD-së dhe Shqipërisë, ashtu si ortaku i tij në qeveri, që e përdor hallin e Berishës për t’i marrë votat për amnistimin e të korruptuarve dhe mbylljen e listave, me pazarin e dalë boje për të mbajtur Ramën në pushtet dhe Berishën si gogol në opozitë. Shqipëria meriton më shumë”, shkruan Lulzim Basha.
Sali Berisha duke folur në emisionin “Open” për shpalljen e tij “non grata” apo “person i padëshiruar” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ka akuzuar sërish ish-kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën.
Sipas tij, Basha kishte shkuar në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe selinë diplomatikë të “Rrugës së Elbasanit”, ku kishte deklaruar se të gjitha vendimet i merrte Berisha.
“Por kjo nuk ishte e vërtetë, unë kisha një qëndrim: nuk ndërhyrja në asnjë rast, nëse nuk më pyesnin. Basha e kishte paraqitur veten kukull time. Ishte nga ata persona që kishte deklaruar në Departamentin e Shtetit dhe në Ambasadë se Sali Berisha ishte personi që i kishte diktuar të gjitha vendimet”, tha Sali Berisha në emisionin “Open”.