“Zbërthimi” i një tjetër aplikacioni të kriminelëve, “Matrix” mund të çojë në zbardhjen e ngjarjeve më të bujshme kriminale si dhe zbulimin e “fatit” të personave në kërkim, fati i të cilëve deri më tani është i mbushur plot mister.

Bëhet fjalë për të shumëkërkuarin e drejtësisë, Ervis Martinaj, për të cilin prej gushtit të vitit 2022 nuk dihet asgjë.

I ftuar në “Abc News”, eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço tha se përdorimi i “Matrix”, përkon me shumë vrasje të bujshme të ndodhura në vendin tonë.

Ai tha se rasti i Martinajt mund të zbulohet përmes zbërthimit të bisedave të bëra në këtë aplikacion.

“Një tjetër dhuratë e madhe krah Sky dhe Encro, flasim këtu që Matrix filloi diku nga fundi pa u zbuluar akoma Sky dhe Encro. Matrix përdorej më shumë për gjëra konkrete për shkak të sigurisë më të madhe. Kë do të vrasim, ku do e vrasim etj. Matrix është në nivelin ekzekutor. Rasti Martinaj është një prej rasteve që mund të zbulohet përmes Matrix nëse është përdorur. Fillimi i përdorimit të Matrix përkon me vrasjen e Martinajt, atentatet dhe në rast se kanë pasur në posedim Matrix do zbulohen shumë ngjarje të rënda. E kam ditur me kohë që Matrix ka qenë pjesë e këtyre komunikimeve në pastrim parash dhe akte kriminale”, tha Karamuço.

Kujtojmë se një ekip i përbashkët hetimor, mes autoriteteve franceze dhe holandeze arritën që të zbulojnë një tjetër shërbim të sofistikuar të mesazheve të koduara, i quajtur “Matrix”.

Për një periudhë prej tre muajsh, autoritetet ishin në gjendje të monitoronin mesazhet e kriminelëve, të cilat do të përdoren në vijimësi të hetimeve për “çmontimin” dhe zbardhjen e ngjarjeve dhe lidhjet e grupeve kriminale.

MATRIX, një shërbim mesazhesh i bërë nga kriminelët për kriminelët, u zbulua për herë të parë nga autoritetet holandeze në telefonin e një krimineli të dënuar për vrasjen e një gazetari holandez në vitin 2021. Pas këtij zbulimi një sërë hetimesh vijuan.

Shumë shpejt u bë e qartë se infrastruktura e kësaj platforme ishte teknikisht më komplekse se platformat e mëparshme si Sky ECC dhe EncroChat.

Themeluesit ishin të bindur se shërbimi ishte superior dhe më i sigurt se aplikacionet e mëparshme të përdorura nga kriminelët.

Përdoruesit mund t’i bashkoheshin shërbimit vetëm nëse merrnin një ftesë. Infrastruktura për të ekzekutuar MATRIX përbëhej nga më shumë se 40 serverë në disa vende me serverë të rëndësishëm që gjenden në Francë dhe Gjermani.

Bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve holandeze dhe franceze filloi nëpërmjet një EPH të ngritur në Eurojust.

Duke përdorur teknologji inovative, autoritetet mundën të përgjonin shërbimin e mesazheve dhe të monitoronin aktivitetin në shërbim për tre muaj.

Më shumë se 2.3 milionë mesazhe në 33 gjuhë u përgjuan dhe u deshifruan gjatë hetimit.