Kategoria e Parë e futbollit në Shqipëri nisi këtë të shtunë me raundin e 15-të. Në stadiumin “Roza Haxhiu” vendasit e Lushnjës fituan 2-1 kundër Apolonisë në derbin e Myzeqesë.

Për shkak të shiut të shumtë fusha e lojës ishte kthyer në një “moçal”, çka pengoi lojtarët e dy skuadrave që të jepnin më të mirën në fushë. Ndeshja u zhbllokua pas 37 minutave lojë me golin e Kamissoko.

Sërish vendasit më kërkues edhe në fraksionin e dytë, me Kacanollin që gjeti edhe golin e dytë për Lushnjën. Në minutën e 73-të Maksuti shkurtoi shifrat për 2-1, me ndeshjen që u mbyll me këto shifra.

Me 21 pikë dhe një ndeshje më shumë se rivalët direkt, Lushnja ngjitet në vendin e pestë. Ndërkohë Apolonia me 15 pikë është në zonën e ftohtë dhe pëson humbjen e tretë radhazi duke konfirmuar krizën.