Barcelona rrezikon të humbasë Dani Olmon për pjesën e mbetur të sezonit. Këtë herë nuk bëhet fjalë për dëmtime, por për problemet e njohura financiare të klubit katalanas.
Drejtuesit blaugrana kanë afat deri më 31 dhjetor për ta regjistruar Dani Olmon në La Liga për pjesën e dytë të kampionatit. Nëse ata dështojnë, një klauzolë në kontratën e lojtarit do ta lejojë atë të lirohet në afatin kalimtar të dimrit.
Siç raporton Sport, dje u zhvillua një seancë dëgjimore në Gjykatën Tregtare të Barcelonës, në të cilën klubi kërkoi një masë paraprake që do të zgjaste regjistrimin e Dani Olmo dhe sulmuesit Pau Victor deri më 30 qershor 2025.
Në vitin 2023, presidenti Joan Laporta dhe avokatët e tij kishin fituar tashmë një rast të ngjashëm për regjistrimin e Gavi-t, por LaLiga beson se Barça nuk duhet të përfitojë nga ky përjashtim”,- pasi nuk do të kishte respektuar rregullat e lojës së ndershme financiare.
Katalanasit kanë dërguar dokumentet e kontratës së re të firmosur me Nike, por liga spanjole duket se nuk dëshiron të marrë parasysh këtë element: Barçës i mungojnë 60 milionë euro për të zgjidhur situatën, para që mund të rikuperohen vetëm duke shitur dikë ose uljen e faturës së pagave.
Vendimi i gjyqtarit pritet të shpallet të premten më 27 dhjetor. Ndërkohë, Barça mbetet në kontakt me Dani Olmon, duke treguar qetësinë e tij për përfundimin e çështjes. I blerë këtë verë për 47 milionë euro, mesfushori sulmues është i regjistruar në La Liga deri më 31 dhjetor, falë dëmtimit të gjatë të Andreas Christensen, i cili la vendin e tij të lirë mes lojtarëve të regjistruar.