Festivali i Këngës në RTSH këtë vit nuk përcolli vetëm muzikë e performancë por edhe mesazhe të forta sensibilizuese.
Një mesazh force dhe inkurajimi dha në natën e fundit politikania Arta Dade për të gjitha gratë që të realizojnë ëndrrat dhe ambiciet e tyre.
“Unë shpresoj që gratë e reja dhe vajzat e reja që kanë vendosur të ndjekin një udhëtim si i imi, t’ju kem ndikuar pak në këtë udhëtim”, u shpreh Dade, e cila më pas e vuri theksin tek forca e nënave, të cilat janë të parat që dallojnë talentet por edhe nxisin e mbështesin zhvillimin e tyre.
“Respekt për vajzat e skenës dhe të ekranit, gazetaret, artistet që kanë bërë emër në skenat më prestigjioze të botës, por edhe për sipërmarrëset, pedagoget, të gjitha zonjat që sfidat i kanë kapërcyer me kualifikimet e veta. Këto gra e kanë ndryshuar fytyrën e shoqërisë sonë dhe unë i inkurajoj të vazhdojnë të përballojnë edhe sfidat e tjera. Asnjëherë në jetë nuk është vonë për të qenë e suksesshme”, ishte mesazhi që dha Arta Dade.
I fuqishëm e prekës ishte edhe mesazhi që dha Bora Ferri, e bija e aktorit të njohur, Xhevdet Ferri. Bora Ferri ndau me spektatorët e teleshikuesit, marrëdhënien e veçantë që ka pasur me babanë e saj, që nga fëmijëria e hershme e deri në ndarjen me të, para 4 vjetësh.
“Kur me raste fatkeqësisht jo shumë të rralla, gruaja trajtohet si “pronë e babait apo bashkëshortit”, unë qëndroj këtu sot për t’u treguar që ka edhe ndryshe. Ka edhe një lidhje mes babait dhe vajzës së vet që formëson vetëbesimin, karakterin dhe zgjedhjen e vajzës gjatë jetës së saj”, tha Bora Ferri.
Ajo e përmbylli monologun e saj me një thirrje drejtuar baballarëve: “Thirrja ime shkon për baballarët; nuk ka vetëm djem në këtë botë, mos hezitoni t’i doni dhe t’i mbështesni vajzat tuaja. Një botë me vajza të vlerësuara dhe që e duan veten është pa dyshim një botë më e mirë dhe më e arrirë”./atsh/