Një nga tre politikanët më me ndikim në tre dekadat e fundit, Ilir Meta, u arrestua mesditën e së hënës më datë 21 tetor 2024, në afërsi të “Kthesës së Kamzës”, një arrestim ky që ngriti pikëpyetje mbi respektimin e të drejtave të njeriut. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është e bindur se provat që ka gjetur në telefonin celular të përdorur nga Monika Kryemadhi përgjatë viteve 2013-2015 dhe disa dëshmi dhe transaksione të ndryshme bankare implikojnë çiftin Meta-Kryemadhi në korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim parash.

Tre dosjet komprometuese që SPAK plotëson pazëllin e trekëndëshit politikë-biznes-krim në afera të dyshuara korruptive.

Me vendim të Gjykatës, Meta është lënë në masë sigurie ‘burg pa afat’, ndërsa ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, ka detyrimin që një herë në muaj të paraqitet para prokurorëve special.

Avokati mbrojtës Genc Gjokutaj, deklaroi për mediat se akuzat janë të pabazuara dhe arrestimi është bërë për qëllime politike.

Politikanë të tjerë opozitarë e cilësuan veprimin si një sulm politik nga kryeministri Edi Rama ndaj opozitës.

Prokuroria e Posaçme në një njoftim publik deklaroi se Ilir Meta e Monika Kryemadhi, në bashkëpunim mes tyre dhe me funksionarë të tjerë publikë, dyshohet se kanë kryer korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurish në një seri episodesh, që nisin nga afro 15 vjet më parë.

Hetuesit e kanë ndarë hetimin në 3 dosje për të cilat ata dyshojnë në përfshirjen e Metës dhe Kryemadhit në afera korruptive.

Fillimisht është çështja “CEZ/DIA”, një marrëveshje okulte e lidhur në vitin 2010 mes kompanisë CEZ Shpërndarje dhe “Debt International Advisory” LTD, e njohur me iniciale ‘DIA’. Kompania përfaqësohej nga Kastriot Ismailaj i dënuar me 11 vite burgim për këtë aferë, prej disa muajsh i liruar.

Dosja e dytë, e cila përbën edhe provat më të mëdha për implikimin kryesisht të Monika Kryemadhit dhe më pas Ilir Metës, është ndikimi i tyre për dhënien me koncesion në shtrimin e fibrave optike kompanisë “Unifi Holdings INC”, dega Shqipëri, me përfaqësues biznesmenin shqiptari-amerikan, Adrian Shatku.

Kjo kompani pasi fiton dy tendera të rëndësishëm për shtrimin e kabllove optikë dhe interkonjeksionin e thirrjeve telefonike ndërkombëtare, kthehet në “donator kryesor” si për familjen Meta, ashtu edhe për LSI-në. Kompania sipas prokurorëve është në kontrata lobimi në SHBA për llogari të partisë së drejtuar Ilir Meta.

Lidhja politikë-biznes vijon në një hetim tjetër nga SPAK që arrin në përfundimin se Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta janë përfshirë në të paktën një rast në hartimin e një “ligji preferencial” në shërbim të biznesmenit Samir Mane, e ky i fundit si shpërblim u ofron një vilë banimi, që gjithsesi nuk u finalizua.

E ndërsa prokuroria pretendon se në faktet e gjetura vërtetohen përfshirja e çiftit Meta – Kryemadhi në korrupsion dhe fshehjen e të ardhura, opozita ka bërë thirrje për mobilizim të qytetarëve, për të marrë pjesë në protesta, pasi sipas saj prangosja e kryetarit të Partisë së Lirisë është për motive politike.

Por krejt të kundërtën deklaron departamenti amerikan i shtetit.

“Jemi në dijeni të arrestimit. Ju referojmë tek autoritetet shqiptare për detaje të mëtejshme në lidhje me rastin. Shtetet e Bashkuara mbështesin përparimin e Shqipërisë drejt sundimit të ligjit, përfshirë përpjekjet e SPAK-ut për të ndjekur penalisht korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar, në përputhje me ligjin”, shprehet një zëdhënës i Departamentit të Shtetit në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës.

Ndërsa analistë të zhvillimeve politike në vend kanë komentuar se arrestimi i Ilir Metës është një mesazh i drejtësisë se nuk do të ketë më në Shqipëri individë të paprekshëm dhe as pasuri të paverifikuara.

Artikulli eshte marre nga SHTEG