Teksa në Kuvend votohen sot amendamentet e buxhetit të vitit 2025, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, i është drejtuar kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropalit, duke i thënë se po shkel rregulloren. Ndaj tij është përgjigjur kreu i Grupit Parlamentar Parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi, i cili tha se nëse do të zbatohej rregullorja, amendamentet e opozitës duhej të ishin votuar në komisione dhe pasi të ishin rrëzuar do të kishin vetëm 5 minuta koha prezantimi në Kuvend. Gjithashtu Peleshi i kërkoi Bardhit se pas këtij “gjesti politik”, sipas tij, të mos ua shpërblente duke kërkuar akoma më shumë kohë.
Pjesë nga diskutimet në Kuvend:
Bardhi: Zonja kryetare ju jeni tërësisht në shkelje të procedurës. Nuk ka asnjë nen në këtë rregullore që i jep të drejtë pasi prezantohen amendamentet të flasin anëtarët e Këshillit të Ministrave apo dikush tjetër. Ne nuk kemi asnjë problem nga e drejta e fjalës e cilitdo në këtë sallë, veçanërisht ministrat që përsërisin vetëm 3 fjalë që i kanë të shkruara.
Peleshi: Bardhi ka shumë të drejtë. Sepse përderisa ne dëgjojmë me shumë durim 56 amendamente duke duruar ofendime dhe akuza, përsëri nuk reagojmë. Ka të drejtë të flasë kështu. E lejuam të sjellë 56 a 58 amendamente në seancë, ndërkohë që rregullorja është shumë e qartë. Rregullorja thotë se amendamentet paraqiten në komision. Nëse rrëzohen në komision, kanë të drejtë 5 minuta propozuesit të bëjnë prezantimin e amendamentit në seancë. Ne e fshimë atë rregull dhe e lamë gjithë ditën duke folur. Pas gjithë këtij gjesti politik, ju lutem mos na e shpërblemi duke kërkuar më shumë se kaq. Ne kemi kulturë politike, qytetari. Ne nuk dimë t’ju fyejmë e tu shajmë kur dëgjojmë broçkullat tuaja populiste. Ju jemi dëgjuar se edhe ju keni të drejtë të bëni opozitën tuaj.