Një tjetër video ka nisur të qarkullojë në rrjetet sociale, në të cilën dyshohet se është këngëtarja ikonë e muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku.

Video është xhiruar në Nju Jork të SHBA, ndërsa në video gruaja dëgjohet të flasë edhe shqip.

“Me ty për herë të parë që kam folur shqip, se kam harruar gjithë këto vite vetëm anglisht. Studiova anglisht dhe kur nuk komunikon”, dëgjohet ajo të thotë në video.

Simaku u rikthye në qendër të vëmendjes pas një video të një televizioni amerikan, në të cilën një grua e pastrehë shfaqet duke marrë ndihma, e cila dyshohet të jetë këngëtarja shqiptare. Edhe në këtë video të re që po qarkullon në rrjet, shfaqet sërish e njëjta grua e filmuar nga një shqiptare në SHBA.

Vetë familjarët e Simakut thanë se gruaja që shfaqej në video duke marrë ndihma ishte Simaku, të cilën prej vitesh e konsiderojnë të humbur pasi nuk kanë asnjë kontakt me të.

Pjesë nga biseda mes tyre:

Qytetarja: Ti nuk beson që jemi shqiptarë?

Simaku: Aspak. Dua të them që ne shqiptarët jemi ajo që kemi mbetur nga Roma, Greqia, Perandoria austriake. Ndaj disa prej nesh kanë ardhur që nga koha e Skënderbeut. Ju e keni ruajtur traditën austro-hungareze.

Qytetarja: Do të jap një buzëkuq. Lyeji pak buzët e kuqe.

Simaku: Të lutem, mos u shqetëso.

Qytetarja: Lyeji, lyeji që të të shohë avokati si yll.

Simaku: E kam shumë më të lehtë të flas anglisht. Me ty për herë të parë kam folur shqip.

Qytetarja: Shumë bukur ke folur.

Simaku: E kam harruar gjithë këoo vite.

Qytetarja: Ku të të gjej unë ty? Nuk e kam as telefonin tënd. S’kam as adresën e shtëpisë tënde.

Simaku: Më shkruaj në Facebook. Kërko në Facebook tim dhe do të shohësh fotot e mia, familjen time gjithçka e kam aty.

Qytetarja: Në çfarë ore futesh në Facebook? Do vij sërish, sa e bukur u bëre me buzëkuq. Se di ti sa e bukur u bëre!