Ish-presidenti i Kosovës, Hahsim Thaçi në paraqitjen e tij të parë në rastin e ri të ngritur kundër tij dhe tre të akuzuarve të tjerë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, nuk është deklaruar për aktakuzën, duke thënë se ende nuk e ka lexuar atë dhe se do të përgjigjet në kohën e paraparë me ligj.
Thaçi tha se tash e 4 vite përballet me një proces tjetër gjyqësor dhe shoqëria kosovare, familja e tij dhe ai presin me padurim përfundimin e atij procesi në të cilin pret drejtësi.
“E di që Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme por unë nuk paraqes rrezik politikë për askënd, prandaj kërkoj edhe sot, unë besoj dhe respektoj kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës dhe kërkoj nga të gjithë ju që të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës sepse Dhomat e Specializuara janë produkt i Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, tha ai.
Ai tha se e kupton aktakuzën por nuk e ka lexuar andaj lidhur me fajësin apo pafajësinë e tij, do të përgjigjet me kohë, sipas ligjit të paraparë.
Më 29 nëntor 2024, Gjykatësja e Procedurës Paraprake e Dhomave të Specializuara të Kosovës konfirmoi aktakuzën dhe më pas lëshoi katër fletarrestime dhe një fletëthirrje.
Ish-kreu i AKI-së Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës Isni Kilaj, Fadil Fazliu u arrestuan më 5 dhjetor në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 6 dhjetor, në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Gjykatësja e Procedurës Paraprake e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kreu arrestimet me mbështetjen e EULEX-it.
Fletarrestimi i lëshuar nga Gjykatësja e Procedurës Paraprake iu dorëzua Thaçit në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 5 dhjetor, në bazë të aktakuzës së konfirmuar.
Hajredin Kuçit iu dorëzua aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para Gjykatëses së Procedurës Paraprake, në bazë të aktakuzës së konfirmuar, për paraqitjen e parë.
Sipas aktakuzës së konfirmuar, së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave në objektin e paraburgimit, “Thaçi u dha Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë.”
Në aktakuzë pretendohet se Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me Smakajn, Fazliun dhe Kilajn, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe Kuçin, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në kontekstin e gjykimit aktual Thaçi dhe të tjerët.
Në aktakuzën e konfirmuar, kundër Thaçit janë ngritur tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Kundër Fazliu, Smakaj dhe Kilaj është ngritur nga akuzë për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa ndaj Kuçit janë ngritur dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Seanca e paraqitjes së parë të Hajredin Kuçit është caktuar për ditën e hënë, 9 dhjetor 2024, në orën 10:00. Ndërkohë, gjykatësja e procedurës paraprake dha vendim që Thaçi të vazhdojë të mbahet në paraburgim. /Kosovapress/