Komisioni Rregullator i KQZ-së ka miratuar projektvendimin për “Për caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore, për zgjedhjet për Kuvend të vitit 2025”.

Qarkut të Tiranës i shtohet një mandat, duke çuar në numrin e përfaqësuesve në Kuvend në 37 nga 36 që ishte deri tani. Mandati i kalon PS pasi në zgjedhjet e kaluara siguroi 18 mandate, kundrejt 15 të PD.
Një mandat i hiqet Korçës, duke e çuar numrin në 10 mandate, nga 11 që kishte.

“Tiranës do t’i shtohet një mandat, ndërkohë Korça, në këto zgjedhje pritet të prodhojë 10 mandate. Gjatë kësaj periudhe, KQZ do të ketë edhe rregullat për sa i përket fletëve të votimit. Do të kemi dy fletë votimi, një për ata që do të votojnë në Shqipëri dhe një për emigrantët. Parashikohet që nga 1 Janari të nisë kontrolli për të gjitha aktivitetet që partitë politike do të kenë“, raportoi më herët gazetarja Greta Bullari.

Zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të mbahen më 11 Maj.

Ndarja e re e mandateve:

Qarku Berat – 7 mandate
Qarku Dibër – 5 mandate
Qarku Durrës – 14 mandate
Qarku Elbasan – 14 mandate
Qarku Fier – 16 mandate
Qarku Gjirokastër – 4 mandate
Qarku Korçë – 10 mandate, një ulje numri
Qarku Kukës – 3 mandate
Qarku Lezhë – 7 mandate
Qarku Shkodër – 11 mandate
Qarku Tiranë – 37 mandate, 1 më tepër
Qarku Vlorë – 12 mandate