Gjatë seancës plenare në Kuvendin e Shqipërisë, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, iu përgjigj drejtpërdrejtë ndaj gjuhës fyese të përdorur nga deputetja Ina Zhupa, ndaj deputetit Erion Braçe senacën e shkuar duke theksuar se përdorimi i gjuhës së urrejtjes dhe retorikave fyese në foltore është një shërbim i keq për qytetarët dhe një shembull i keq për fëmijët dhe qytetarët.
“Gjuha e urrejtjes, fyerja, kanosja me fjalë janë shembulli më i keq që mund t’u japim fëmijëve duke nisur nga kjo sallë. Janë shërbimi më i keq që mund t’u bëjmë fëmijëve, prindërve, qytetarëve. Dhe ju zonjë deputete, nuk vonuat ta jepni shembullin tuaj të keq nga kjo foltore, siç keni bërë shumë herë. E bëre dhe në seancën e kaluar, në nisje të interpelancës urgjente, që e kërkuat vetë. Dhe çfarë bëre? Fyeve rëndë një koleg të nderuar të këtij Kuvendi. Dhe nuk po të drejtohem thjesht si ministre arsimi. Po të drejtohem si grua, si nënë, si qytetare. Ajo që tregove ishte se interesi yt nuk ishte të merrje informacion mbi ngjarjen e ndodhur.
Interesi yt nuk ishte të flisje për masat që kemi marrë për sigurinë në shkolla dhe ato që duhet të merren. Interesi yt nuk ishte të jepje sadopak kontribut që problemet të gjejnë zgjidhje. Jo, ti kishe kërkuar një interperlancë urgjente dhe u ngrite këtu dhe përdore gjuhë fyese. U ngrite në foltore të flisje për problemin, dhe u bëre vetë problemi! U ngrite në foltore të flisje për bullizmin dhe tregove që je një bulliste! U ngrite në foltore të flisje medemek për hallin e qytetarëve, dhe u tregove se njeriu më në hall je ti, në hall personal për një karrige. Nuk do të isha marrë fare, por ishte e nevojshme të të vija një pasqyrë përpara, për nivelin e retorikës që ke sjellë në këtë sallë, se shembulli që përcillet nga këtu nga kjo salle lidhet direkt me edukimin e fëmijëve. Do ta vlerwsoja maksimalisht nëse shqetësimi juaj do të ishte i sinqertë për atë ngjarje që na prekur të gjithëve: prindër, mësues, nxënës, komunitet. Pa përjashtim. Dhe të përsëris, siç kam bërë çdo herë që kam patur mundësinë brenda këtyre tre javëve e pak, thirrjen time, por besoj unë, edhe të çdo prindi dhe çdo mësuesi, për të mos e politizuar një ngjarje që vetëm politike nuk është.”, tha Manastirliu.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, konfirmoi angazhimin e institucioneve për zbatimin e masave konkrete që synojnë sigurinë dhe mirëqenien në mjediset arsimore dhe apeloi për një qasje të sinqertë dhe të përkushtuar nga të gjithë aktorët, duke theksuar nevojën për shembuj pozitivë që kontribuojnë në edukimin dhe sigurinë e fëmijëve brenda dhe jashtë shkollës.