Qeveria italiane synon të rifillojë transferimet e emigrantëve në Shqipëri në janarin e vitit 2025. Me fillimin e vitit të ri, ekzekutivi synon të rifillojë projektin e ndalimit të azilkërkuesve në qendrat shqiptare, i cili deri tani është refuzuar nga gjyqtarët. Sipas mediave italiane, kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka deklaruar se gjykata ka vendosur në favorin e tyre.
“Gjykata e Kasacionit vendosi në favorin tonë për vendet e sigurta”, tha Meloni.
Dy lundrimet e anijeve më 15 tetor dhe 8 nëntor, rezultuan të pasuksesshme pas vendimin të ndalimit nga gjykata e Romës.
Marrëveshja e nënshkruar në 6 nëntor të vitit të kaluar në Romë, mes kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe atij shqiptar Edi Rama, parashikon ngritjen e dy qendrave, e para në Shëngjin ku do të kryhen procedurat e verifikimit të emigrantëve që nisen nga Afrika e Veriut dhe kapen në det nga anijet italiane dhe, e dyta në Gjadër, ku ata do të mbahen të izoluar, deri në përfundim të procedurave për pranimin ose jo të azilit. Përgjegjësia mbi çdo veprimtari do të jetë e Italisë, së cilës i njihet dhe juridiksioni i plotë mbi qendrën e pritjes. Maksimumi i kapacitetit të kampit në një vit është 36 mijë persona.