Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, deklaroi këtë të premte nga Korça se Policia e Shtetit ka arritur të zbardhë masakrën e Dobraçit në Shkodër, ku humbën jetën katër persona gjatë një atentati, mes tyre edhe dy të pafajshëm.

Hoxha tha se Policia e Shtetit pritet të ketë së shpejti një deklaratë për media, ku do të japë detajet nga ngjarja e ndodhur dhe personat përgjegjës.
“Policia do të dalë së shpejti me një deklaratë për shtyp,” tha ministri Hoxha në fjalën e tij.

Ministri tha se emrat e implikuar në ngjarjen e Dobraçit do të publikohen në deklaratën që do të japë policia.

“Kemi pasur raste dhe ngjarje kriminale me pasojë vdekjen. Policia, në bashkëpunim me prokurorinë e SPAK, po heton këto ngjarje.

Dje, në Shkodër, u zhvilluan kontrolle, ndalime dhe shoqërime të personave të implikuar në ngjarje të rënda kriminale.

Për emrat duhet të presim deklaratat shumë shpejt, edhe për emrat e implikuar në ngjarjen e Dobraçit,” u shpreh ministri.

Atentati ndodhi në zonën e Dobracit, në rrugën Shkodër-Koplik, më datë 30 tetor, ku persona të paidentifikuar hapën zjarr ndaj një automjeti me targa kroate.

Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, u ekzekutua në vend, ndërsa Arlind Bushati, djali i ish-kandidatit të PD për kryebashkiak, Xhemal Bushatit, ndërroi jetë disa orë pas ngjarjes në spitalin e Shkodrës. Kalimtarja Flutura Basha, e cila po lëvizte me motor bashkë me bashkëshortin e saj, Bashkim Basha, gjithashtu u vra në sulm. Bashkëshorti ndërroi jetë 3 ditë më pas në spital.