Nga Mero Baze/
Sali Berisha ka “zbuluar” se një kushëri i gruas së Altin Dumanit ka punuar në Bashkinë e Tiranës dhe këtë e ka si argument që Altin Dumani nuk po heton sa duhet Erion Veliajn. Madje, për të na e provuar se kjo është e vërtetë, publikoi dhe foton e gruas së Altin Dumanit bashkë me kushëririn e saj.
Këtu ka 100 pyetje që të vijnë në mendje menjëherë dhe të bëjnë për të vjellë, por nuk duhet të merremi me këtë çështje. As me faktin që këtu s’ka asgjë të vërtetë, pasi në fund të fundit Erion Veliaj jo vetëm po hetohet familjarisht, por edhe është ankuar për tejkalim të procedurave ligjore në këto hetime.
Ajo që duhet të diskutojmë është: pse Berisha kërkon t’i gjejë “miq” SPAK-ut përmes rrethit familjar të Dumanit?
Për hir të së vërtetës, çdokush që përpiqet të gjejë miq në SPAK apo diku tjetër, nuk është e thënë të gjejë domosdoshmërisht kushërinj të tyre. Më të sigurt janë njerëzit që kanë lidhje të tjera me ta, financiare, miqësore apo çfarëdo tjetër.
Problemi i SPAK nuk është se nuk gjenden dot miq që i njohin, por që ata nuk pranojnë ndërhyrje. Dhe ky është fakt gjerësisht i pranuar.
Por për të kuptuar pse Berisha ka gjetur për “mik” një kushëri të gruas së Dumanit dhe pse mendon se kjo e bën të besueshme, duhet të shikoni si funksionon Berisha.
Unë e besoj Sali Berishën që është plotësisht i bindur se ai djali në fotografi është përdorur për “mik”, pasi plotëson dy kushte shumë të rëndësishme për Berishën: është kushëri me gruan e Dumanit dhe është i punësuar në shtet.
Të dyja këto fakte shpjegojnë Berishën, por nuk shpjegojnë Dumanin.
Për Berishën, dikush që është i lidhur me gruan, është zot.
Gjatë pushtetit të tij, të gjithë kushërinjtë e gruas së tij ishin zot të pushtetit. Madje shumë më herët dhe shumë më shumë sesa kushërinjtë e tij apo edhe nipërit e tij të drejtpërdrejtë.
Kushërinjtë e Lirisë ishin, në fakt, shtylla kurrizore e pushtetit të Berishës. Nuk bëhet fjalë për kushërinj të parë, siç është rasti i gruas së Dumanit, por edhe të shtatë.
Liria, në fakt, ishte sekserja më e madhe e pushtetit të tij, pasi ajo depërtoi në pushtet të gjithë njerëzit e saj, madje edhe njerëzit e nënës së saj serbe.
Pesë drejtorët e parë të rëndësishëm që u emëruan sapo Berisha mori pushtetin, që nga hipoteka tek energjitika në vitin 2005, krejt “rastësisht”, kishin gjyshet serbe, si Argita. Kjo tregon shumë për fuqinë e gruas së tij në pushtet.
Ndaj, mos e fajësoni pse nxjerr në foto gruan e Dumanit, sepse ai e di si gruan e tij, që mund të bëjë ç’të dojë me pushtetin e burrit.
Aq më tepër pastaj që edhe kushëriri i saj paskësh punuar në bashki. Në pushtetin e Berishës, punësimi klanor, apo më mirë të themi fisnor, ishte pasaportë për të pasur fuqi të mbinatyrshme në pushtet. Përndryshe, nuk ka sesi të na mbushë mendjen që një ish-punonjës bashkie të ketë ndikim mbi SPAK. Në kohën e tij, çdo njeri i fisit të gruas së tij, kudo ku ishte, e kishte dhe këtë pushtet.
Ndaj mos e qortoni. Thjesht tek reagimi i tij shikoni se nga kush ka shpëtuar Shqipëria./TEMA