Me anë të një reagimi në X, kryeministri Edi Rama thekson edhe një herë vendimin e Shqipërisë për të ndaluar TikTok-un për një vit, duke argumentuar se ky nuk është një hap i nxituar, por një përgjigje e arsyeshme ndaj shqetësimeve të prindërve dhe komunitetit edukativ për ndikimin negativ të kësaj platforme mbi fëmijët dhe adoleshentët.

Rama e thekson se Shqipëria, si një vend demokratik, ka marrë këtë vendim duke u bazuar në kërkesat e shumicës së prindërve, të cilët shprehin shqetësimin për sigurinë dhe shëndetin e fëmijëve të tyre në këtë platformë.

Në fund, Rama shton se Shqipëria nuk ka pse sqarime nga TikTok, por ka bërë një vendim të qartë: ose TikTok duhet të mbrojë fëmijët shqiptarë, ose Shqipëria do të ndërmarrë masat për t’i mbrojtur ata nga kjo platformë.
Reagimi i plotë i kryeministrit Rama në X:

Ndalimi i TikTokut për (të paktën) një vit në Shqipëri, nuk është një reagim i nxituar ndaj thjesht një ngjarjeje, por një vendim i këshilluar gjerësisht me komunitetet e prindërve në shkollat e gjithë Shqipërisë. TikToku nuk ka çfarë sqarimesh kërkon nga Shqipëria, sepse në Shqipëri vendosin shqiptarët jo pronarët e algoritmit të TikTokut. Ndërsa Shqipëria është shumë e vogël për t’i kërkuar TikTokut të mbrojë fëmijët dhe rininë nga humnerat e frikshme të algoritmit të tij, por uron që TikToku ta bëjë këtë për të mirën e të gjithë njerëzimit, përfshirë edhe Shqipërinë.

Të thuash se vrasja e nxënësit adoleshent s’ka lidhje me TikTokun, sepse konflikti nuk qenka gjeneruar nga Tik Toku do të thotë të mos kesh kuptuar as seriozitetin e kërcënimit që ajo plaftormë ka sjellë për fëmijët dhe rininë e kësaj kohe, as fillin e arsyetimit të vendimit tonë për të marrë përgjegjësinë e reagimit ndaj atij kërcënimi.

Fortlumturisht Shqipëria është një vend demokratik, ku kur mbi 90% e prindërve kërkojnë ndalimin e TikTokut dhe kur shumica dërmuese beson se shëndeti i fëmijëve tanë nuk mund t’i shërbejë platformës, po platforma duhet t’i shërbejë shëndetit të fëmijëve tanë, atëherë vendimi ynë nuk ka se si të jetë më i qartë:

Ose vetë TikToku duhet t’i mbrojë fëmijët e Shqipërisë ose Shqipëria do t’i mbrojë fëmijët e vet nga TikToku.