Nga Mero Baze/

Në vitet ’70, kur denigrimi i Ballit Kombëtar në letërsi dhe sidomos në estradat shqiptare kishte arritur kulmin, Enver Hoxha u ndje i pakënaqur. Ai thirri krijuesit e Kinostudios dhe u tha:

– Shikoj ato filmat tuaj me ballistë dhe na i paraqisni si ca birbo që pijnë raki e nuk dinë të bëjnë luftë. Dhe kështu mendoni se nderoni Partinë. Në fakt, po e turpëroni, sepse njerëzit do të thonë: “Me kë kanë luftuar këta? Me ca pijanecë që hanin pula?” Kjo nuk është e vërtetë. Kemi bërë luftë të përgjakshme me ta!

Kjo kritikë, ndonëse brenda kornizave të propagandës së kohës, zbulonte një të vërtetë taktike: një kundërshtar i përçmuar përçon një fitore të vogël.

Sot, Edi Rama duket se është në një situatë të ngjashme, duke përcjellë të njëjtën porosi – jo më për Kinostudion, por për ambasadorët perëndimorë dhe të tjerët. Ai duket sikur u thotë:

– Nuk është e vërtetë që unë fitoj se s’kam opozitë dhe përballë kam një plak të rrjedhur. Nuk mund të nënvlerësohet një fitore ndaj një kundërshtari të dobët!

Në urimin e tij për “opozitën më të fortë”, Rama la të nënkuptohet se ai kërkon një kundërshtar të denjë, që i jep fitoreve të tij peshë dhe lavdi. Por ndryshe nga Enver Hoxha, ai nuk e ka bërë të qartë se kush është ky kundërshtar i fortë.

Nëse e ka për Sali Berishën, atëherë mund ta marrim për humor. Nëse e ka për opozitarët e rinj që ambasadorët perëndimorë po përpiqen t’i promovojnë, duket si një tallje elegante me ambasadorët. Por nëse e ka për SPAK-un, atëherë ka goditur në shenjë.

SPAK është ndoshta opozita e vetme dhe më e fortë me të cilën Rama përballet aktualisht. Kjo strukturë, që formalisht është pjellë e reformës në drejtësi të promovuar nga Rama dhe ndërkombëtarët, është aktualisht në betejë dhëmbë për dhëmbë me pushtetin e Edi Ramës.

SPAK ka nxjerrë të pandehur një numër kryetarësh bashkish, nga çështje banale si ndërtimi i një rruge, deri te konflikte me të afërmit e tyre. Në këtë kontekst, ndërsa Rama e quajti SPAK veprën e tij dhe Berisha e shpalli armikun e tij, pjesëtarë të drejtësisë së re duket se po manovrojnë më lehtë për të qenë në rregull me Berishën, se sa me Ramën që i quan “vepër të tij”

Në disa raste, e njëjta gjyqtare që ka hequr masën e sigurisë ndaj Berishës, ka shpallur qeverinë grup i organizuar kriminal. Kështu, ndonëse Rama tallet me opozitën e fragmentuar dhe mburret me drejtësinë e re, duket se kjo e fundit po kthehet në opozitën e vërtetë dhe më të fortë kundër tij.

Më në fund duket se e ka gjetur realisht opozitën më të fortë. Por jo tek ata që përqesh, por tek ata që mburret se i ka krijuar vetë.