Territori shqiptar për gjatë gjithë ditës së enjte do të jetë nën ndikimin e masave ajrore të thata dhe të ftohta me origjinë kontinentale.
Për pasojë; orët e para të ditës si edhe mesdita do të kenë intervale të gjata me kthjellime ku më të theksuara kthjellimet priten në ultësirën perëndimore.
Ndërsa orët e pasdites dhe mbrëmja sjellin kalime vranësirash në të gjithë territorin, të cilat në skajin Verilindor dhe Juglindor do të krijojnë mundësi për momente të pakta me flokë dëbore.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje si në vlerat minimale dhe maksimale duke luhatur vlerat ditore nga -6°C vlera minimale e shënuar në qytetin e Bulqizës deri në 15°C vlera maksimale e cila pritet në qarkun e Fierit.
Era do të fryjë mesatare deri e fortë shpejtësi maksimale mbi 45 km/h nga drejtimi kryesisht Verilindor; duke krijuar në brigjet detare dallgëzim 2 – 3 ballë.
Kosova
Republika e Kosovës, do të karakterizohet nga alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta ku më të theksuara kthjellimet do të jenë në zonat jugore – jugperëndimore.
Gjatë orëve të pasdites, vranësirat do të bëhen të dukshme pothuajse në të gjithë territorin e Kosovës, megjithatë mundësia për reshje është thuajse zero.
Temperaturat e ajrit do të ulen në mëngjes, por mbeten konstante në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga -8°C vlera më e ulët deri në 6°C vlera më e lartë në rang territori.
Era do të fryjë mesatare deri e fortë gjatë gjithë ditës me shpejtësi mbi 45 km/h nga drejtimi permanent Verilindor.
Maqedonia e Veriut
Pritet rënie e mëtejshme e vlerave Barike duke sjellë mot të kthjellët dhe të ftohtë në të gjithë republikën e MV. Parashikohet që pasditja dhe mbrëmja, të sjellin vranësira të herë pas hershme në të gjithë territorin e MV; më të theksuara vranësirat do të paraqiten në zonat perëndimore dhe veriperëndimore POR nuk priten reshje.
Këto kushte stabël atmosferike do të na shoqërojnë edhe gjatë natës. Temperaturat e ajrit do të ulen në vlerat minimale, por vijojnë konstante maksimalet duke u luhatur nga -7°C vlera minimale deri në 9°C vlera maksimale në rang territori.
Era do të fryjë mesatare deri e fortë përgjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 45 km/h nga drejtimi permanent Verilindor.
Europa
Brigjet e Egjeut do të vijojnë të jenë me vranësira të shumta të cilat do të gjenerojnë reshje shiu herë pas here të shoqëruara me fuqizim të parametrit të erës, edhe pjesërisht rajoni qendror i Ballkanit pritet të jetë me vranësira të shpeshta, por reshjet do të jenë në formë dëbore.
Gjithashtu pjesërisht Europa Qendore do të jetë me reshje të pakta shiu dhe dëbore. Ndërsa në Lindje të kontinentit do të vijojnë reshjet e dendura të dëborës.
Parashikohet që Europa Veriore dhe Britania e Madhe të jenë nën mbizotërimin e motit të qëndrueshëm duke sjellë përgjatë gjithë 24 orëshit alternime kthjellimesh dhe kalime të shpeshta të vranësirave. Po ashtu me kushte të qëndrueshme atmosferike pritet të jetë Europa Jugperëndimore dhe Gadishulli Apenin.