Kjo e diel e 15 dhjetorit ashtu siç ishte paralajmëruar nga kryebashkiaku Benet Beci, ka shënuar edhe hapjen e tregut të rikonstruktuar tërësisht të tregut të Rusit.

Një investim modern që ka sjellë përmirësime të dukshme të kushteve të tregtimit. Pas 30 vitesh në kushte të papërshtatshme dhe larg standardeve higjeno-sanitare, tregtarët dhe qytetarët shprehen të kënaqur me ambientet moderne dhe funksionale, investim i cili ka qenë shumë i nevojshëm. Ata kanë falënderuar kryetarin e Bashkisë, Benet Beci, për përkushtimin dhe realizimin e shpejtë të këtij projekti cilësor.

Tregu i Rusit, kap shifrën e 36.6 milion lekëve, si bashkëfinancim i Bashkisë Shkodër dhe AZHBR. Rikonstruksioni i këtij tregu shërben për përmirësimin e kushteve të tregtimit sipas standardeve për shitësit dhe blerësit e produkteve, duke krijuar një ambient funksional dhe higjenik si dhe duke siguruar mbrojtjen nga faktorët atmosferik.

Me anë të këtij investimi tashmë është bërë i mundur ndërhyrja në sistemimin e sheshit, ndërtimin e mbulesës së markatës, ndriçimi i tregut, ndërtimi i moduleve të reja për tregtarët ambulant, përmirësimi i kushteve të tregtimit dhe ruajtja e produkteve deri në tavolinën e konsumatorit.

Afatet për përfundimin e këtij investimi kanë qenë 12 muaj por pas ndërhyrjes së kryebashkiakut Benet Beci investimi është përfunduar në një kohë rekord prej 5 muajsh, me qëllim që tregtarët të riktheheshin në vendet e tyre për ti shërbyer konsumatorëve edhe në këto ditë festive të dhjetorit.