Presidenti rus, Vladimir Putin ditën e sotme është shprehur se Perëndimi po i shtyn ata drejt vijave të kuqe. Ai shtoi se Moska po detyrohet të përgjigjet pasi kanë arritur në situatën të cilën sipas tij e kanë bërë të qarta publikisht se nuk do t’i tolerojnë.

“Taktika është shumë e thjeshtë: ata na sjellin në vijat e kuqe, përtej të cilave ne nuk mund të tërhiqemi më, ne fillojmë të përgjigjemi dhe më pas ata trembin popullsinë e tyre me kërcënimin rus, siç bënë në të kaluarën me kërcënimin sovjetik,” tha ai.

Presidenti rus tha në një takim me zyrtarë të ministrisë së mbrojtjes se Rusia po shikon me shqetësim vendosjen e mundshme të raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme nga SHBA në rajonin Azi-Paqësor, duke vënë në dukje se Moska do të përgjigjet në mënyrë gjithëpërfshirëse.

Ai tha gjithashtu se Rusia do të heqë të gjitha kufizimet e veta vullnetare për zhvillimin e raketave të veta nëse SHBA vazhdon me zhvillimin e raketave të tilla, duke theksuar se prodhimi masiv i raketave “Oreshnik” do të fillojë në të ardhmen e afërt.