I ftuar në “Wake Up” në Top Channel, ka qenë artisti i talentuar Dario Zela. Ai ka publikuar këngën e tij më të re, “Ajo”, që e ka sjellë atë për herë të parë në “The Top List”. Dario gjatë kësaj interviste ka folur më shumë mbi projektet e tij, pasionin për muzikëm dhe hapat e tij të ardhshëm…
Si e ke nisur pasionin tënd për muzikën?
E kam nisur shumë i vogël, që në klasë të parë apo të dytë, me veglat muzikore. E kam nisur vetë privatisht, kam pasur qejf të nisja violinën dhe nga ajo e mora nisjen për të vazhduar muzikën. Më pas erdhi ‘Gjeniu i Vogël’ dhe pastaj thashë kjo është ajo që dua të bëj.
Cila është lidhja jote me artisten e madhe Vaçe Zela?
Gjyshi im e ka pasur Vaçen kushërirë të parë. Më ka ndjekur gjithmonë kjo lidhja e mbiemrit dhe ndihem realisht shumë i nderuar që më lidhet mbiemri me një ikonë të muzikës. Nuk kam arritur ta takoj atë ndonjëherë por jemi lidhur nëpërmjet një telefonate para shumë vitesh.
Do ta konsideroje të hyje në “Big Brother VIP”?
Është një zgjedhje e vështirë. Kur më kanë ardhur mundësi për të bërë gjëra që shumë njerëz do të stepeshin, ka pasur raste që unë këto zgjedhjet që duhen menduar shumë gjatë, unë i kam bërë shumë shpejt. Dhe nuk më kanë dal keq. Që do të thotë që patjetër që do e konsideroja. Kam shumë qejf që njerëzit të më njohin për atë që jam, dhe ky është një format që njerëzit do të më njihnin.