Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në takimin prindërit dhe mësuesit për planin i ri të veprimit për fuqizimin e mekanizmave të sigurisë në shkollë, theksoi se “ky plan do të zbatohet për një periudhë 3-vjeçare dhe është një plan ambicioz, një iniciativë që reflekton përgjegjësinë tonë të përbashkët si shtet, si institucione, si prindër dhe si qytetarë”.
Në fjalën e saj, Manastriliu tha se “ngjarjet e fundit, si tragjedia e ndodhur pranë shkollës “Fan Noli”, ku një nxënës, humbi jetën si pasojë e një konflikti, apo ngjarja në Cakran, janë një thirrje për veprim të menjëhershëm dhe të përgjegjshëm, për të forcuar masat e sigurisë në shkolla përmes rritjes së bashkëpunimit mësues, prindër dhe nxënës, zhvillimit të teknologjisë dhe edukimit, nxitjes së modeleve pozitive dhe mbështetjes së çdo nxënësi”.
“Në këtë plan kemi përfshirë gjetjet dhe rekomandimet nga konsultimet e kryera, rekomandimet e Këshillit Kombëtar të Prindërve. Ekspertë të shoqërisë civile dhe UNICEF kanë kontribuar gjithashtu në hartimin e tij. Përmes tij synojmë adresimin e çështjeve që lidhen me dhunën, bullizmin, sigurinë online dhe rritjen e mekanizmave të parandalimit në funksion të sigurisë në shkolla dhe reduktimin deri ne eleminim të fenomeneve të çdo forme dhune brenda shkollës”, nënvizoi Manastirliu.
Ministrja Manastirliu tha se “katër janë drejtimet ku jemi fokusuar dhe ku kemi planifikuar masa të shpejta dhe afatmesme: Siguria Fizike dhe Digjitale, Rrjetet e Mbështetjes Psikosociale, Edukimi dhe Ndërgjegjësimi dhe Shkolla e Hapur”.
Ministrja Manastirliu detajoi vendimet konkrete për përmirësimin e sigurisë në shkolla duke theksuar ku përfshihet edhe bllokimi i platformës TikTok.
“Në një kohë kur sfidat teknologjike janë të pashmangshme, siguria fizike dhe digjitale është prioritet. Për rritjen e kësaj sigurie kemi vendosur bllokimin e platformës TikTok, bazuar në një paketë instrumentash që po punohet nga AKCESK dhe AKSHI. Po ashtu, do të vendosim kamera inteligjente përmes projektit ‘Smart City’, duke siguruar një monitorim më efektiv brenda shkollave dhe perimetrit të tyre. Në dy vitet e ardhshme do të dyfishojmë numrin e oficerëve të sigurisë, duke arritur në 500, dhe do të ngremë një strukturë të dedikuar brenda drejtorive arsimore për të koordinuar detyrat e oficerëve të sigurisë dhe bashkëpunimin me njësitë lokale të mbrojtjes së fëmijëve”, theksoi ajo.