Mero Baze
Nëse do të pyesje ndonjë student më 9 Dhjetor 1990 në rrugën e Elbasanit përse po protestoni, ndoshta nuk do të ta shpjegonte dot me detaje, por e vetmja gjë që kishin në mendje të gjithë, ishte se pushteti duhet të ndërrohet. Enver Hoxha kishte sunduar plot 40 vjet.
Njeriu që erdhi në pushtet nga ato protesta ishte Sali Berisha. Të gjitha të tjerat ishin thjesht mekanizma të pushtetit të tij.
Tani ai ka 34 vjet, 6 vite më pak se Enver Hoxha, që nuk iku nga pushteti, në krye të PD-së, e cila është një nga dy partitë e rëndësishme të Shqipërisë.
Pra, nëse ka ndonjë fenomen që i ka humbur kuptimin 8 Dhjetorit dhe e ka zhvlerësuar atë si një reagim të forcave antikomuniste në vend, është Sali Berisha. Ai, duke qenë njeri i oborrit të Enver Hoxhës, një sekretar partie nga ata më sektaristët që “nuk do lejonte të degradohej Partia e Punës”, siç betohej nëpër mbledhje të organizatës deri në vitin 1990, e zhvlerësoi 8 Dhjetorin si lëvizje për ndryshim, pasi përsëriti atë sëmundjen identitare të komunizmit: mosikjen nga pushteti.
Dhe ashtu si Enver Hoxha, që mund të kishte vazhduar edhe më gjatë po të mos kishte vdekur fizikisht, edhe Sali Berishën do ta heqë nga pushteti në PD, vdekja e tij fizike.
Mjafton ky fakt që PD dhe e djathta shqiptare të ndjehet e turpëruar më 8 Dhjetor, pasi i humbën 8 Dhjetorit arsyen përse shqiptarët dolën në rrugë, që është ndryshimi dhe rifreskimi i pushtetit me njerëz të rinj.
Fakti që partia e parë antikomuniste e Shqipërisë nuk prodhoi dot një mekanizëm rrotacioni as për veten e saj, e jo më për Shqipërinë, tregon se ajo parti duhet të ulë kokën çdo 8 Dhjetor, pasi është shpërdoruesja e një shansi historik që vështirë se i vjen më Shqipërisë.
Për 34 vite, PD provoi se u kthye nga një formacion politik që do ndryshonte Shqipërinë, në një repart ushtarak që mbron familjen Berisha; nga forca e parë properëndimore në Shqipëri, që do ta bënte “Shqipërinë si gjithë Evropa”, në forcën më antiperëndimore dhe më antiamerikane në vend; nga një parti që do luftonte bllokmenët me vila, në një parti ku kryetari i saj është nën akuzë për 500 apartamente që vajza e tij i ka fituar falë nënshkrimit të tij korruptiv si kryeministër; nga një parti që doli në rrugë duke refuzuar liderët lindorë, në një parti që ka në krye një drejtues që është “non grata” i dy prej shteteve më të mëdha të botës perëndimore, SHBA dhe Britanisë së Madhe.
Pra, PD ka bërë gjithçka për ta turpëruar 8 Dhjetorin. Dhe meqë historinë nuk e ka më në dorë dhe nuk e korrigjon dot më, së paku është mirë që të na kursejë më 8 Dhjetor shfaqjen e plakut të rrëgjuar me tre-katër vetë pas vetes, që duan të na kujtojnë se i kemi nëpër këmbë dhe në krye të vendit që nga 8 Dhjetori i 1990-ës.
E dimë që nuk do ikë nga PD sa të jetë gjallë, por nuk dimë a do jetë gjallë PD-ja që ta shoqërojë atë deri në varr, apo do shkojë para tij. Partia e Punës jetoi edhe 5 vjet pa Enverin. Nuk di sa vite mund të jetojë PD-ja pa Berishën, por di që Berisha pa PD-në nuk do jetojë asnjë ditë. E vetmja gjë që ka bërë PD pas 34 vitesh, është që ka prodhuar Enverin e saj.