Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se ai dhe homologët e tij turq Hakan Fidan dhe iranian Abbas Araghsi ranë dakord, në takimin e tyre në Doha, që “armiqësitë” në Siri duhet të përfundojnë menjëherë.
Lavrov deklaroi se Moska dëshironte dialog midis qeverisë siriane dhe “opozitës legjitime”, siç e quajti ai.
Pak më parë, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghsi, u tha gjithashtu gazetarëve se “duhet të fillojë një dialog politik midis qeverisë siriane dhe përfaqësuesve legjitimë të opozitës”.
Lavrov i quajti rebelët e grupit islamik Hayat Tahrir al-Sham “terroristë” , megjithëse ata vetë thonë se kanë ndryshuar pikëpamjet e tyre. Është “e papranueshme të lejohen grupet terroriste” të kontrollojnë territoret siriane, shtoi ai.
I pyetur se si pret të zhvillohet situata në Siri dhe çfarë do të ndodhë me bazat ruse në atë vend, Lavrov u përgjigj se “nuk mund të spekulojë”.
Duke komentuar në përgjithësi situatën në Lindjen e Mesme, Lavrov tha gjithashtu se ekstremizmi do të riprodhohet në rajon nëse nuk krijohet një shtet palestinez.